Kolektivi Feminist bën thirrje që të hënën të dilet për të protestuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, nga ora 17:30.
Kjo pasi një grua u vra dhe vëllai i saj u plagos këtë të premte në Ferizaj, ndërsa për këtë krim i dyshuar është ish-burri i tashmë të ndjerës.
“Ky rast i femicidit është duke treguar që vajzat dhe gratë në Kosovë nuk janë askund të sigurta. Ato dhunohen e vriten në shtëpi, në strehat e shtetit, në rrugë e në spitale, pa mbrojtje e pa siguri nga shteti”, shkruan në njoftimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.
“Femicidi dhe lufta që iu është shpallur grave duhet të na revoltojë të gjitha/ë dhe të na ngrisë në këmbë shesheve dhe rrugëve në Prishtinë e kudo për të kërkuar që shteti me të gjitha strukturat e saj t’iu dalë në krah vajzave dhe grave dhe ta trajtojë femicidin si urgjencë kombëtare. Ne si shoqëri duhet të ngrihemi e ta luftojmë bashkë këtë patriarkalitet që nuk po lë strehë të sigurtë për gratë deri sa ua merr edhe frymën e fundit”, thuhet tutje në shkrimin e postuar në Facebook.