Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj, ka bërë të ditur se nuk do ta votojë Fatmir Limajn nga Nisma për kryetar të Kuvendit, edhe nëse deputetë tjerë të partisë së tij do ta votonin.
Brahimaj e ka cilësuar si jo të ndershme lëvizjen e Limajt pas zgjedhjeve, ku ky i fundit ka pasur qëndrime të ndryshme nga AAK-ja.
Sipas tij, kreu i Nismës do të duhej të sillej me korrekt dhe jo si AAK, ta merrni vesh nga mediat për lëvizjet e tij politike.
“Është njëfarë rendi, njëfarë nderi dhe nuk është e thënë se ka bërë kurorë, por ka qenë bukur e ndershme me thënë që na mbyllëm deri këtu. Tash e masë unë do të vazhdoj kështu, ju si të doni, por jo ne me u njoftu prej mediave për lëvizjen e tij. Realisht, nëse e gjithë Aleanca do të binte dakord me votuar atë, unë e respektoj demokracinë, por votën time nuk do t’ia jepja”, tha Brahimaj për Insajderin.
Ndërkohë, lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, pritet të zhvillojnë një takim dypalësh më së largu deri të dielën.