Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë për ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, të cilët akuzohen për krime lufte së bashku me Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Vendimet e ndara për dy të akuzuarit janë marrë më 14 tetor 2024 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në të dy vendimet, thuhet se nuk ka mjaftueshëm informacione që tregojnë se në rast që të akuzuarit lirohen nga paraburgimi, ata mund të arratisen nga drejtësia. Mirëpo, thuhet se ka rrezik që të pengojnë administrimin e drejtësisë dhe të kryejnë krime ndaj atyre që perceptohen kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe ndaj dëshmitarëve.
“Paneli konkludon se në këtë moment nuk ka ende mjaftueshëm informacion që të justifikojë një gjetje se z. Thaçi (z.Veseli) mund të arratiset nga drejtësia nëse lirohet. Megjithatë, Paneli është i kënaqur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi (z.Veseli) do të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe se ai mund të kryejë krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në këtë çështje dhe/ose pritet të paraqiten para Dhomave të Specializuara”, thuhet në vendimet ndaj tyre.
Ashtu si për Thaçin, edhe për Veselin, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka parashtruar se rreziqet përkatëse që mund të dalin nga dy të akuzuarit, mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektin e paraburgimit.
Gjithashtu, në këto vendime thuhet se ZPS-ja ka parashtruar se sjellja e dy të akuzuarve paraqet rrezik të shtuar për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të informacioneve të ndjeshme të dëshmitarëve lidhur me procesin gjyqësor.
“Sjellja e z. Thaçi tani paraqet një rrezik jashtëzakonisht të shtuar, aq sa edhe kufizimet dhe monitorimi standard i komunikimeve në Qendrën e Paraburgimit nuk janë të mjaftueshme. Prandaj, duke pasur parasysh zbulimin e vazhdueshëm të informacioneve të ndjeshme të dëshmitarëve të lidhura me procedurat aktuale gjyqësore, rreziqet themelore vazhdojnë të ekzistojnë”, thuhet në vendimin për vazhdimin e paraburgimit për Thaçin, e ngjashëm edhe në atë për Veselin.
Si rrjedhojë, tek këto vendime, Paneli ka rikujtuar se arsyeshmëria për vazhdimin e paraburgimit ndaj të akuzuarve duhet të vlerësohet bazuar në fakte të secilit rast dhe veçorive specifike të tij.
Tek rasti i Thaçit, si veçori specifike përmendet ndikimi dhe autoriteti e të akuzuarit, mundësia për t’u përballur me një dënim të gjatë me burg, rreziku që i akuzuari të kryejë krime të tjera, e të tjera.
“Veçoritë specifike të këtij rasti përfshijnë: (i) ndikimin dhe autoritetin e z. Thaçi; (ii) njohurinë e tij për akuzat dhe provat kundër tij, dhe mundësinë e një dënimi të gjatë me burg; (iii) rrezikun që z. Thaçi të pengojë procedurat e Dhomave të Specializuara; (iv) rrezikun e kryerjes, nxitjes ose ndihmës në kryerjen e krimeve të tjera; (v) faktin se masat kufizuese në rast lirimi nuk janë të mjaftueshme për të zbutur rreziqet; (vi) rëndësinë dhe kompleksitetin e akuzave kundër z. Thaçi; dhe (vii) faktin se gjyqi është në zhvillim, duke treguar një përparim të arsyeshëm të procedurave”, thuhet në vendimin për Thaçin.
Ndërsa, për Veselin, Paneli ka vlerësuar se ai akuzohet për dhjetë pika të krimeve ndërkombëtare, e në rast që shpallet fajtor mund të dënohet me një dënim të gjatë me burg.
“Sipas vlerësimit të Panelit, veçoritë specifike të këtij rasti përfshijnë: (i) z. Veseli është i akuzuar për dhjetë pika të krimeve të rënda ndërkombëtare, në të cilat ai dyshohet të ketë luajtur një rol të rëndësishëm; (ii) nëse shpallet fajtor, z. Veseli mund të përballet me një dënim të gjatë me burg; (iii) rreziqet sipas nenit 41(6)(b)(ii) dhe (iii) nuk mund të zbuten me ndonjë kusht; (iv) çështja kundër z. Veseli është komplekse; dhe (v) fakti që gjyqi është në zhvillim, duke treguar një përparim të arsyeshëm të procedurave”, thuhet në vendimin për Veselin.
Si rrjedhojë, Paneli ka konstatuar se vazhdimi i paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për dy të akuzuarit është i nevojshëm dhe i arsyeshëm kështu duke e urdhëruar vazhdimin e një mase të tillë.
Në fund të vendimeve, trupi gjykues ka urdhëruar edhe ZPS-në që të dorëzojnë parashtrimet e tyre mbi shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit deri më 22 nëntor 2024. ndërsa përgjigjet në këto parashtrime të dorëzohen sipas afateve të përcaktuara me Rregullore.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020