Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, institucion nën direktivat e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, është bërë e gjallë dy ditë pas publikimit të skandalit nga VOX Kosova rreth lejimit të shitjes së peshqve të ngrirë me prani të krimbit Anisakis simplex.
Në dy deklarime skandaloze, Agjencia njëherë njofton se do të asgjësojë mijëra kilogramë peshk të ngrirë që kanë prezencë të krimbit, e njëherë tjetër thotë se peshku është i sigurt për t’u ngrënë.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, është duke ndërmarrë përgatitjet për asgjësimin e 35,170 kilogramëve peshk, me qëllim garantimin e sigurisë shëndetësore të konsumatorëve dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare. Ky proces është i domosdoshëm për mbrojtjen e shëndetit publik dhe ruajtjen e integritetit të tregut ushqimor në Kosovë”, ka thënë AUV në një përgjigje për mediat.
Ndërsa në një reagim të lëshuar më pas, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thotë se peshku i ngrirë, edhe me prani të këtij krimbi, është i sigurt për t’u ngrënë.
Pra, një kontradiktë e madhe – njëkohësisht asgjëson mijëra tonë peshk me njëfarë krenarie për mbrojtjen e konsumatorit dhe njëkohësisht deklaron se peshku mund të hahet.
“Prania e këtyre parazitëve nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e peshkut të ngrirë, sepse procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta ua ka shkatërruar aftësinë për të shkaktuar sëmundje. Peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60°C – standard që siguron asgjësimin e çdo rreziku të mundshëm”, thuhet në njoftimin e AUV.
“Në rastin kur ky produkt përdoret sipas udhëzimeve, domethënë përmes përgatitjes termike (gatimit) apo ngrirjes, ai nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.”
AUV shkon më tej duke thënë se “incidente mund të paraqiten në rastet e peshkut të freskët”.
“Ndonjë incident mund të paraqitet vetëm në rastin e konsumimit të peshkut të freskët (të pangrirë), i cili nuk është trajtuar fare me nxehtësi apo ngrirje, veçanërisht në përgatitje si crudo, sushi apo sashimi. Në këto raste, peshku duhet të jetë patjetër i ngrirë më parë, në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe ligjet në fuqi.”
Në hulumtimin e VOX, Ministri Faton Peci dhe Agjencia e Ushqimit që operon nën Ministrinë e tij, përkundër se vetë konstatuan peshkun e krimbosur, përkundër se vetë morën vendim për asgjësim, përkundër se fituan edhe rastin në Gjykatën Komerciale, më pas – të diktuar nga interesa që mbetet t’i hetojë Prokuroria – dolën me një njoftim absurd, ku thuhej se, ndonëse peshku në Kosovë po shitet me krimba, vazhdoni ta konsumoni.
Të premten, Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha, është fshehur nga VOX Kosova, e cila shkoi në zyrën e tij për të marrë një përgjigje lidhur me këtë skandal