Sulmuesi Eden Hazard është duke shkuar rrugës së pensionimit si futbollist aktiv.
Belgu ka mbetur pa klub që kur Real Madrid i ndërpreu kontratën muaj më parë, pasi s’ishte pjesë e planeve të Carlo Ancelottit.
Tani “Get Football News” raporton se pavarësisht që Hazard ka marrë disa oferta, ai është duke konsideruar pensionimin.
Hazard ishte lidhur me kalimin në MLS dhe Arabi Saudite, por së fundmi edhe klubet franceze kanë shprehur interesim përfshirë ish klubin Lille.
Sidoqoftë, belgu i ka refuzuar të gjitha ofertat deri më tani duke shkuar drejt pensionimit pavarësisht që përfaqësuesit e tij po tentojnë të vazhdojë edhe për disa vite.
Hazard kaloi periudhën më të vështirë në fanelën e Real Madridit, ku pësoi lëndime të njëpasnjëshme dhe vitet e fundit humbi vendin shkaku i Vinicius Juniorit.
Sezonin e kaluar, ai regjistroi gjashtë paraqitje ndërsa në përgjithësi shënoi vetëm shtatë gola në 76 paraqitje.
Kohën më të mirë të karrierës, Hazard e kaloi te Chelsea ku zhvilloi 352 ndeshje duke realizuar 110 gola dhe dhuruar 92 asistime.
Gjatë kohës në “Stamford Bridge”, Hazard fitoi dy herë Premierligën, FA Cup, Kupën e Ligës dhe dy Liga të Evropës.
Ndërsa, te Real Madrid ai i fitoi te gjitha trofetë e mundshme por që te secila shumicën e kohës ishte rezervë ose mungoi.
Përndryshe, Hazard njoftoi edhe pensionimin nga kombëtarja e Belgjikës në dhjetorin e kaluar.