Vështirë se ndonjë lojtar i përshtatet më shumë profilit të klubeve të Arabisë Saudite sesa Robert Lewandowski.
Polaku mbetet një nga golashënuesit më të mirë në Evropë, ka një apel të madh ndërkombëtar dhe ndodhet në fazën e fundit të karrierës së tij.
Megjithatë, një transferim në kampionatin saudit nuk është në planet e tij. Agjenti i 36-vjeçarit, Pini Zahavi, e sqaroi këtë për të përditshmen polake Fakt.
“Klubet e Arabisë Saudite janë të mbingarkuara me lojtarë. Ata nuk dinë çfarë të bëjnë me ta. Numri i lojtarëve të huaj është i kufizuar, gjë që ul mundësitë. Por Roberti nuk dëshironte të luante atje gjithsesi”, tha Zahavi.
Zahavi zbuloi gjithashtu se vitin e kaluar Lewandowskit iu ofrua një kontratë tepër joshëse prej 100 milionë eurove në sezon.
“Një vit më parë, ai mori një ofertë konkrete me 100 milionë euro për sezon. Për sezon”, thotë Zahavi duke mbetur i befasuar si nuk u pranua oferta nga vet klienti i tij.
Sipas tij, Lewandowski zgjodhi të vazhdonte të garonte për trofetë më prestigjiozë në Evropë.
“Ai preferoi të luftonte për La Ligën dhe Ligën e Kampionëve, dhe pothuajse i arriti të dyja”, përfundoi Zahavi.
Në sezonin e kaluar, Barcelona fitoi kampionatin spanjoll, por u eliminua në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve nga Interi. Për sezonin e ri, Lewandowski synon sërish të udhëheqë Barcelonën drejt vendit të parë në La Liga dhe të shkojë sa më larg në Evropë.