Kandidati për deputet nga PDK, Enver Hoxhaj, ka publikuar një video elektorale të realizuar për herë të parë në formë historiku me inteligjencë artificiale, ku përmes një adresimi të drejtpërdrejtë për qytetarët paraqet rrugëtimin e Kosovës nga paslufta deri sot, duke e quajtur aktualitetin politik një ndalesë të rrezikshme për shtetin.
“Në 20 vjet folën për shkatërrim. Ishte propagandë. Kosova u ngrit nga hiri i luftës dhe u rindërtua edhe më fuqishëm”, thekson Hoxhaj në video, duke shtuar se “ne ndërtuam shtet. Ndërtuam institucione. Ndërtuam qindra shkolla për fëmijët. Ndërtuam shtet funksional”.
Në video, Hoxhaj rendit arritjet kryesore të Kosovës pas pavarësisë.
“E bëmë Kosovën qendër të Ballkanit. Bashkuam shqiptarët me autostrada. Ndërtuam spitale të reja dhe e modernizuam sistemin shëndetësor. Hapëm universitete të reja dhe ndërtuam mbi 1000 shkolla. Gjykatat dhe sistemi i drejtësisë u bënë më transparente. Aeroporti u ndërtua dhe i hapi dyert e Kosovës për botën. E krijuam Ushtrinë dhe policinë. Kosova u njoh nga 100 shtete dhe rriti statusin ndërkombëtar të vendit”.
Sipas tij, Kosova ishte në ecje përpara, derisa, siç thotë, gjithçka u ndal.
“Deri sa, gjithçka u ndal! U godit historia, besimi dhe lufta për liri. Udhëheqësit e saj u morën peng. Pushtet morën ata që nuk e donin pavarësinë e Kosovës. Shkatërruan gjithçka që kishim ndërtuar”, deklaron Hoxhaj.
Ai akuzon qeverisjen aktuale për izolim ndërkombëtar dhe dështim ekonomik.
“Kosova u sanksionua, u bllokua dhe u tradhëtua besimi i aleatëve; u ftohëm edhe me Shqipërinë. Çmimet u rritën dhe energjia u bë mjet i luftës së Serbisë kundër Kosovës. Pagat mbetën të njëjta, asnjë projekt i madh për pesë vjet”.
Në fund të videos, Hoxhaj flet për atë që e quan “mafi energjetike” dhe nevojën për ndryshim.
“Gjithçka e mirë u ndalua dhe energjia elektrike u bë mjet i luftës së Serbisë kundër Kosovës. Kjo nuk është Kosova që ne ndërtuam. Por ky tunel e ka një dalje. Nuk është fundi. Është koha për t’u zgjuar. 28 Dhjetori është drita jonë në fund të këtij tuneli. Është koha për rikthim. Koha për Kosovën që punon”.






