Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mahmudije Haziri, e ka quajtur ‘qen’ e ‘plak matuf’ të mbijetuarin e masakrës së Izbicës, Milazim Thaçin.
I moshuari Milazim Thaçi, dje është paraqitur në seancë për të dëshmuar kundër Muhamet Alidemajt, i cili akuzohet nga Prokuroria Speciale se kishte kontribuar në masakrimin e 147 shqiptarëve në Izbicë.
Nacionalja dje ka ndjekur këtë seancë gjyqësorë, derisa pjesë të një seance nga java e kaluar, mund ta shikoni në fund të këtij teksti, realizuar nga Periskopi, ditë më parë.
Lidhur me komentet e anëtarës së Vetëvendosjes, gazetari Lirim Mehmetaj shkruan:
“I mbijetuari i Masakrës së Izbicës është quajtur “qen”, “plak matuf” e çka jo tjetër nga anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mahmudije Haziri, vetëm se ai tregoi para gjykatës se kur serbët i kishin grumbulluar për t’i vrarë u thanë “Ku e keni Hashim Thaçin, ku e keni Amerikën?”.
Çfarëdo dhe nga kushdo që krerët e luftës përmenden, ofendimet dhe gjuha fashiste janë garnitura me të cilën përshkruhen.
Përlotja dhe dhimbja e dëshmitarit gjatë dëshmisë dhe rëndësia e asaj dëshmie është krejtësisht irelevante për ta.
Nuk e kanë luftën me Serbinë, nuk e kanë pasur kurrë.
Kjo militante e paskrupullt është eksperimenti i suksesshëm i laboratorit të trushpërlarjes me krye-laborantin, Albin Kurti.
Gjuha terrorizuese, ofenduese e fashiste që përdoret në këtë rast nga militantja është vetëm zgjatim i atyre që i kemi parë në parlament e media.
“Kriminel” ka qenë mbiemër me të cilin janë portretizuar ish-krerët e UÇK-së nga ministrja Albulena Haxhiu, kryeministri, Albin Kurti, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla dhe e gjithë shpura jugo-nostalgjike që përbën kabinetin qeveritar sot.
Vazhdoni e folni me Radojiçiç-in vazhdoni, a po ju pyet edhe ai “Ku e keni Hashim Thaçin?”.
E tmerrshme, e gërditshme, e pafalshme”.
KUJTOJMË SE: Më 28 mars 1999, forcat serbe vranë dhe masakruan mizorisht 147 shqiptarë në Izbicë të Skënderajt.
Masakra e Izbicës zë vend edhe në raportin e Departamentin të SHBA-së.
Atë kohë u publikuan edhe fotografitë e bëra nga sateliti, në të cilat qartë shihen 147 varrezat e reja në Izbicë.
Pas masakrës, kufomat e të vrarëve, i varrosen fshatarët e kësaj ane në fshatin Izbicë, por forcat serbe i zhvarrosën kufomat duke i dërguar në lokacione të ndryshme në Kosovë e Serbi.