Dhuna në familja vazhdon të mbetet një ndër dukuritë më shqetësuese në vend, ku zakonisht viktima janë gratë të cilat dhunohen në forma të ndryshme kryesisht nga bashkëshortët e tyre, por edhe nga anëtarët e tjerë të familjes. Ndaj tyre ushtrohet dhunë edhe gjatë muajve të shtatzënisë, duke iu shkaktuar kështu stres, presion e rrezik të madh.
Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur së fundmi në një familje në Gjakovë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.
Sinjali raporton me burime brenda Spitalit Rajonal se i dyshuari M.T, 20-vjeçar e ka sulmuar fizikisht me dru gruan me të cilën bashkëjeton dhe e cila është shtatzënë.
Posa rasti u denoncua, njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.