Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën në një intervistë në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1 ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk do të ketë ofertë për koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke e arsyetuar këtë me “mungesën e reformimit brenda partisë” dhe duke e cilësuar ‘sinonim të kapjes së shtetit”.
Lidhur me këtë deklaratë të Kurtit, të enjten në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se në fakt Lëvizja Vetëvendosje është ajo që po përpiqet ta kap jo vetëm shtetin, por gjithçka tjetër.
“Nuk është deklaratë e parë kjo, ai e ka thënë gjithmonë që nuk dua të qeveris me Partinë Demokratike të Kosovës, por ka pasur, unë nuk besoj që ai nuk ka ndonjë bashkëpunim me PDK-në në variante të ndryshme me njerëz të caktuar. Sidoqoftë është e drejtë e tij të thotë nuk dua të kem koalicion. Sa i përket arsyetimit që e ka përdorur që ka thënë se PDK-ja është sinonim i kapjes së shtetit, e ky çfarë është? Ky e ka kapur apo nuk e ka kapur? Po përpiqet të kap gjithçka apo jo? Këta po përpiqen jo shtetin, por edhe OJQ-të edhe ndërmarrjet publike edhe universitetet edhe gjithçka tjetër të marrin. Është pushteti më i papërgjegjshëm në aspektin e funksionimit të shtetit të së drejtë”, ka thënë Haliti.
Tutje ai ka shtuar se hyrja e PDK-së në koalicion me VV-në do të ishte problem i madh për të ardhmen e këtiji subjekti politik, pasi sipas tij duhet të forcohen dhe t’i fitojnë vetë zgjedhjet.
“Problemi është tek ngërçi nuk është a dëshiron koalicion a jo me PDK-në. Po mos ta merr PDK-në. Bile unë mendoj që është gabim me hy PDK-ja me VV-në në koalicion sepse PDK-ja duhet me u rri, me u forcu dhe me i fitu vetë zgjedhjet. Nëse hyn me u bë pateric e VV-së është problem për të ardhmen e saj. Kështu mendoj unë por edhe PDK nuk është deklaruar se dëshiron të hyjë në koalicion me VV-në”, ka theksuar Haliti.