Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka pranuar se bashkimi i ministrive ishte gabim, ndonëse kjo parti akuzonte pushtetet e kaluara për numrin e lartë të tyre.
Gjatë një interviste në ATV, ajo ka pranuar se shumica e punëve kanë çaluar për shkak të bashkimit të ministrive.
“Logjika për t’i bashkuar ministritë nuk ka qenë e mirë, që në fillim të mandatit të kaluar. Sepse Ministria e Mjedisit ka përfshirë edhe transportin. Ka qenë tejet e madhe dhe menaxhimi i një ministrie tepër të madhe ka qenë pak i vështirë, dhe shumica e punëve që janë bërë në ministri, në disa raste, kanë çaluar.
Ideja ka qenë të kemi më pak ministri, mirëpo me administratën aktuale që kanë ministritë, është problem të funksionohet me më pak ministri dhe të krijohen ministri gjigante. Nuk është se kemi gabuar plotësisht, qëllimi ka qenë i mirë. Kur hyn në institucion dhe e sheh si funksionon dhe si funksionojnë dikasteret, atëherë të jepet sinjali që duhet të kemi pak më shumë ministri, derisa të reformohet administrata brenda”, ka thënë ajo.






