Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, muajve të fundit nuk ka qenë shumë aktive në rrjetet sociale.
Ajo u ka thënë fansave të saj se është duke shpenzuar më shumë kohë në studio, por që herë pas here lajmërohet duke publikuar ndonjë fotografi apo video për ta.
Së fundmi, 32-vjeçarja publikoi një video-selfie të shkurtër në TikTok, duke interpretuar një pjesë të shkurtër të remiksit të këngës “Blue” që ajo e kishte realizuar me DJ David Guettan.
Megjithatë dyshja nuk e publikuan kurrë të plotë këtë këngë, pasi e realizuan vetëm si demo për shaka në studio.
“David Guetta dhe unë e remiksuam këtë këngë disa vite më parë dhe ne kurrë nuk e publikuam atë. Unë nuk kam ide se si e bënë në TikTok por e dua. Gëzuar”, shkroi Rexha në mbishkrimin e videos.
Por megjithëse është realizuar vetëm si shaka për demo, melodia në fjalë ka ngjallur interesim të menjëhershëm te fansat.
Videoja e cila është parë nga mbi 4.8 milionë njerëz anë e mbanë globit, ka fituar menjëherë zemrën e dashamirësve të muzikës, me shumë prej tyre që i kanë bërë thirrje që ta publikojnë menjëherë versionin e plotë të saj.
Interesimi për këtë këngë është pasqyruar edhe në platformat Google dhe YouTube, ku me të shkruar emrin e një prej artistëve, menjëherë shfaqet si sugjerim kënga “Blue (Remix)”, e që duket të jetë si rezultat i motorit të kërkimit të madh nga ana e fansave.