Sipas një njoftimi për media, Prokuroria sqaron se Prokuroria Themelore në Prishtinë me qëllim të transparencës dhe sqarimit të opinionit publik, njofton se lidhur me rastin e kryerjes së kontrolleve dhe bastisjeve në disa lokacione për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele, prokurori i shtetit sqaron opinionin publik se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione.

Tutje në njoftimi thuhet se për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, për çka edhe nuk është ofruar kurrfarë prove para prokurorit të shtetit për t`u krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale që bie nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“Prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi. Prokurori i shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.