NISMA Socialdemokrate ka konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Kandidatët e kësaj partie do të garojnë në të gjitha komunat e Kosovës. Kështu ka deklaruar kryetari i këtij subjekti politik, Fatmir Limaj.
Në mbledhjen e kryesisë u diskutua përgatitja dhe angazhimi i NISMA-s për zgjedhjet, me theks në ofrimin e kandidatëve me integritet, përvojë dhe vizion për ndryshim.
Në njoftimin e kësaj partie theksohet se do të ketë një program të besueshëm me zgjidhje konkrete për sfidat lokale dhe qeverisje transparente në shërbim të qytetarëve.
“Sot, së bashku me Kryesinë e NISMA Socialdemokrate, diskutuam për përgatitjet dhe angazhimin tonë për zgjedhjet lokale.
Me përkushtim dhe vizion të qartë, në çdo qytet të Kosovës të ofrojmë burra e gra, djem e vajza të përgatitur nga të gjitha fushat, njerëz me integritet, përvojë dhe vullnet për ndryshim.
NISMA Socialdemokrate do të paraqesë një program serioz dhe të besueshme për qytetarët, duke ofruar zgjidhje konkrete për sfidat lokale dhe duke ndërtuar një qeverisje të ndershme, transparente dhe në shërbim të të gjithëve”, tha ai.