Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi përmes një reagimi një Facebook, ka treguar se një familje shqiptare nga Medvegja është sulmuar me gurë e me mjete të tjera të rënda, nga një grup i panjohur.
Ai i ka bërë thirrje autoriteteve të ruajnë rendin dhe ligjin, si dhe nga bashkësia ndërkombëtare ta monitorojnë situatën e sigurisë në Luginë të Preshevës.
Postimi i plotë i Kamberit:
Partia për Veprim Demokratik dënon kategorikisht aktet e dhunës dhe frikësimit të familjes së Ruhan Muharremit në Medvegjë.
Një grup i panjohur ka kryer akte vandalizmi duke hedhur gurë dhe mjete të rënda në drejtim të shtëpisë së tyre.
Ne kërkojmë që autoritetet e sigurisë të ndërhyjnë menjëherë për të ruajtur rendin dhe qetësinë dhe për të siguruar që qytetarët shqiptarë në Medvegjë të mos jenë të ekspozuar ndaj abuzimeve dhe tmerreve të tilla.
Gjithashtu, ftojmë Bashkësinë ndërkombëtare të ndjekë ngjarjet dhe të monitorojë situatën e sigurisë me kujdes, sidomos në Luginën e Preshevës.