Kjo bimë shumë popullore dimërore për ambiente të brendshme, lulëzon në ngjyra të ndryshme. Ajo rritet më së miri në vende me hije, ajër të freskët dhe temperatura të ulëta
Zgjedhjen e ciklamës përshtateni me hapësirën ku do të qëndrojë: mund të zgjidhni mes ciklamave xhuxhe, pak më të mëdha, ciklamave të mesme ose ciklamave standarde, të cilat rriten deri në 30 centimetra në lartësi.
Një nga bimët dimërore më të kërkuara për ambiente të brendshme është pa dyshim ciklama. Këto ditë ajo kërkohet gjithnjë e më shumë në fidanishte dhe dyqane lulesh.
Kjo bimë shumëvjeçare, me kërcell nëntokësor në formë zhardhoku, i përket familjes Primulaceae (familja e aguliçes). Sipas besimeve të vjetra, ciklama është lulja e sinqeritetit, dashurisë, sigurisë dhe lumturisë. Thuhet se aty ku rritet ajo, e keqja nuk ka fuqi, ajo “rregullon hesapet” dhe shuan keqkuptimet.
Ciklamini, lulëzon me lule elegante në një gamë shumë të gjerë ngjyrash – nga e bardha, rozë, e kuqja, vjollca, deri te kombinimet dyngjyrëshe dhe petalet me skaje të valëzuara. Bima zbukurohet edhe nga gjethet karakteristike në formë zemre, shpesh të stolisura me motive argjendi ose ari.
Zgjedhjen e ciklamës përshtateni gjithmonë me vendin ku do të qëndrojë. Pavarësisht madhësisë që zgjidhni, mbani mend se ciklamat rriten më së miri në vende me hije dhe ajër të freskët dhe i përballojnë mirë temperaturat e ulëta – deri në 5 gradë Celsius.
Çfarë nuk e toleron ciklama
Ciklamat nuk i durojnë ambientet e mbinxehura me ajër të thatë. Në këto kushte, lulet dhe gjethet vyshken shpejt. Më së miri është t’i mbani në dhoma që nuk ngrohen, ku temperatura varion nga 10 deri në 15 gradë Celsius.
Ato kanë nevojë për shumë dritë, por nuk duhet të ekspozohen ndaj rrezeve direkte të diellit. Pozicioni ideal është nga lindja ose veriu, një dritare, verandë apo korridor me shumë dritë natyrale. Adhuruesit e vërtetë të ciklamës arrijnë, me kujdes të duhur, ta ruajnë bimën edhe për vitin pasues, kur ajo do t’i shpërblejë sërish me lule të reja. Kur lulëzon me bollëk, lulet dhe gjethet janë zakonisht më të vogla.
Ciklama e mirëmbajtur mund të lulëzojë deri në muajin mars. Gjatë kësaj periudhe, hiqni lulet e vyshkura, ujiteni me kujdes dhe ushqejeni rregullisht një herë në javë. Në pranverë, ciklama ndalon së zhvilluari lule të reja dhe rritja e saj ngadalësohet. Atëherë duhet t’i siguroni një periudhë pushimi: zvogëloni ujitjen dhe prisni derisa të thahen të gjitha gjethet.
Sapo të kalojë rreziku i ngricave, diku rreth muajit maj, ciklamën mund ta nxirrni në ballkon ose ta vendosni në kopsht. Mos e ujitni deri në mesin e verës; kur të fillojnë të dalin gjethe të reja, atëherë është koha për ta transplantuar.
Mbajeni zhardhokun në një vend të freskët dhe të ndriçuar dhe ujiteni rregullisht. Mund të qëndrojë jashtë deri në ngrica, e më pas ta vendosni në një ambient të pangohtë. Nëse i përmbaheni këtyre këshillave, ciklama mund të jetojë dhe të lulëzojë për disa vite me radhë.







