Nuk kam shkruar deri sot, sepse ata që më luftuan për ta votuar këtë gjykatë tani sillen si mbrojtës të Hashim Thaçit. Kur gënjeshtra bëhet mbrojtje, e vërteta s’mund të rrijë më në heshtje.

Shkruan: Baton Haxhiu

Intervista e fundit e Ekaterina Trendafilovës më detyron të flas. Jo për të kundërshtuar formalisht, por për të dëshmuar atë që ajo me vetëdije e shmang.

Trendafilova flet për transparencë dhe barazi në proces, por intervista e saj është dëshmi e një drejtësie të ftohtë dhe të ndarë nga historia. Nuk kam shkruar deri tani, sepse e dija se kush po e mbante gjallë këtë farsë. Por heshtja ime nuk do të jetë më mbulesë për të pavërtetat.

Kjo që shkruaj nuk është një reflektim as teorik, as politik. Është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj intervistës së Presidentes së Gjykatës Speciale për Kosovën, zonjës Ekaterina Trendafilova. Kam dëgjuar çdo fjalë të saj. Kam lexuar çdo tezë që ka artikuluar për të mbrojtur këtë gjykatë. Dhe kam ndier nevojën për t’i thënë asaj dhe kujtdo që e dëgjon: kjo që përshkruan nuk është drejtësia që njoh. Dhe aq më pak është drejtësia që Kosova meriton. Sepse në këtë proces nuk ka transparencë, por ka izolim. Nuk ka barazi procedurale, por ka peshore të njëanshme. Nuk ka kujdes për viktimat, por ka një përpjekje për të prodhuar faj për ata që janë simbol i çlirimit. Dhe mbi të gjitha, nuk ka ndershmëri në rrëfim. Prandaj ky nuk është një tekst i zakonshëm. Është akt i vonuar i të vërtetës.

Kam dëshmuar në Tribunalin e Hagës në rastin kundër Sllobodan Millosheviqit dhe më vonë në procesin kundër Milan Millutinoviqit dhe të tjerëve. E kam parë nga afër si funksionon një gjykatë ndërkombëtare, si merren në pyetje dëshmitarët, si organizohet mbrojtja, si respektohet disproporcionaliteti i forcës dhe përmasat e krimit. Dhe mbi të gjitha: si respektohet parimi i barazisë së palëve, edhe kur përballë ishte një president që kishte sjellë luftë dhe gjenocid.

Pikërisht për këtë arsye nuk mund të qëndroj indiferent kur dëgjoj Presidenten e Gjykatës Speciale për Kosovën, zonjën Ekaterina Trendafilova, të flasë për procesin aktual me një qetësi teknike, të shkëputur nga historia dhe nga barra që ajo gjykatë mban mbi supet e saj. Kur lexova intervistën e saj, ajo që të bie menjëherë në sy nuk është ndonjë argument i ri juridik, por mungesa e çdo ndjeshmërie ndaj kontekstit, ndaj simbolikës, dhe ndaj vetë aktit të çlirimit mbi të cilin ndërtohet legjitimiteti i Kosovës.

Gjykata Speciale, që u krijua për të dëshmuar se Kosova është e gatshme të përballet me të kaluarën, sot vepron si një strukturë e ngrirë që i sheh palët në mënyrë sterile dhe i trajton simbolet e lirisë sikur të ishin thjesht dosje administrative. Në thelb, Trendafilova flet për një proces të mbikëqyrur, të drejtë, të ndërtuar mbi barazi dhe të hapur për publikun. Por asnjëherë nuk shpjegon sesi është e mundur që drejtësia që ajo përfaqëson i mohon liderëve të Ushtrisë Çlirimtare mundësinë për t’u mbrojtur në liri, edhe pas katër vitesh të kaluara në paraburgim.

Dhe pikërisht këtu, më duhet të ndalem te intervista e fundit e zonjës Ekaterina Trendafilova. Nuk është intervistë që shpjegon. Është një deklaratë burokratike për të mbajtur gjallë një fasadë drejtësie. Kur ajo flet për “transparencë”, për “barazi në proces”, për “mbikëqyrje ndërkombëtare”, për “të drejtat e garantuara të të pandehurve”, duket sikur është duke përshkruar një ideal në letër, jo realitetin e një procesi ku njerëzit mbahen katër vite në paraburgim, pa një vendim, pa mundësi reale për t’u mbrojtur në liri dhe pa asnjë mekanizëm për ta rivlerësuar masën e sigurisë.

Kur Trendafilova thotë se procesi është i drejtë sepse është “transparent” dhe “i mbikëqyrur ndërkombëtarisht”, harxhon fjalët mbi dritaret e gjykatës, jo mbi thelbin e saj. Sepse çfarë vlere ka transparenca kur procesi zhvillohet jashtë Kosovës, me rregulla që nuk janë miratuar nga Kuvendi i saj dhe me një gjuhë që nuk reflekton ndjeshmërinë që meriton historia e Kosovës? Nuk ka mbikëqyrje ndërkombëtare që mund të mbulojë mungesën e drejtësisë substantiale.

Ajo thotë se të gjithë të pandehurit kanë të drejta të barabarta dhe përmend ndihmën ligjore që u është ofruar. Por në praktikë, prokuroria ka pasur vite të tëra për të hetuar, ka pasur qasje në të gjitha institucionet dhe dokumentet, ndërsa mbrojtja është kufizuar nga pamundësia fizike e komunikimit të lirë, nga mungesa e qasjes në prova dhe nga koha e shtypur prej izolimit. Barazia në procedurë është e pavlerë kur në substancë procesi është i pabarabartë.

Trendafilova flet për “të drejtat e viktimave” si përpjekje për të balancuar drejtësinë. Por në këtë rast, procesi nuk është ndërtuar për të nxjerrë në pah viktimat, por për të ndëshkuar figurat politike të një ushtrie çlirimtare. Çfarë drejtësie për viktimat mund të ndërtohet mbi një narrativë të imponuar, që mohon se në Kosovë ka pasur okupim, gjenocid dhe luftë për liri?

Ajo nuk përmend asnjëherë se kjo gjykatë është krijuar nga Kuvendi i Kosovës nën presion ndërkombëtar. Nuk përmend se është ngritur si instrument politik, jo si pasojë e ndonjë hetimi real. Nuk thotë se ligji mbi të cilin ajo funksionon nuk është ligj i harmonizuar me Kushtetutën e Kosovës. Dhe nuk e pranon kurrë se ajo që po ndodh është një proces që nuk do të mund të ndodhte në asnjë vend të Bashkimit Evropian pa u cilësuar si shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.

Në këtë intervistë, Trendafilova nuk është zëri i një gjykate. Është zëri i një distance. Dhe kjo është arsyeja pse ky tekst që shkruaj sot nuk është vetëm dëshmi. Është përgjigje.

Në vitet kur kam dëshmuar në Hagë, vetë gjykata – në çështjet më komplekse, përballë individëve më të rrezikshëm, përballë krimeve që përfshinin gjenocid, spastrim etnik dhe përdhunime masive – nuk e ka përdorur paraburgimin si mjet për të heshtur dinjitetin e të akuzuarit. Milutinoviqi, president i Serbisë gjatë luftës në Kosovë, është liruar përkohësisht gjatë gjykimit. Edhe për Milosheviqin u konsideruan forma alternative të trajtimit, duke respektuar jo thjesht gjendjen shëndetësore, por edhe dinamikën humane të një procesi që nuk duhet të kthehet në formë hakmarrjeje. Në asnjë rast, paraburgimi nuk u përdor si ndëshkim vetvetiu

Por këtu po ndodh pikërisht kjo. Nuk ka një vendim për fajësi. Nuk ka një vendim të formës së prerë. Nuk ka rrezik real të arratisjes, për faktin se Hashim Thaçi ishte president i një shteti të njohur ndërkombëtarisht, me rekorde të plota bashkëpunimi dhe përgjegjësie institucionale. Megjithatë, ai mbahet në paraburgim pa afat dhe pa asnjë garanci që procedura të përfundojë brenda një kohe të arsyeshme. Nëse kjo nuk është një formë e heshtur dënimi, atëherë çfarë është?

Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut e ka sanksionuar në nenin 5 të saj që askush nuk mund të mbahet në paraburgim të zgjatur pa një arsyetim të qartë, të rishikuar në mënyrë periodike dhe me garanci që drejtësia të mos kthehet në shtypje të lirisë. Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është e pasur me vendime që dënojnë shtetet për mbajtjen në paraburgim përtej arsyes dhe përtej nevojës.

Çfarë i mbetet më një shoqërie që e ka pranuar të përballet me të kaluarën, kur drejtësia që i ofrohet nuk është më përballje por përjashtim? Kosova e ka krijuar këtë gjykatë. Me vullnet politik, me miratim parlamentar, me një pakt të heshtur që drejtësia ndërkombëtare do të sillej me të njëjtin respekt që Kosova i dha asaj. Por gjykata nuk i përket më Kosovës. Ajo zhvillon procesin në një kontinent tjetër, me ligje që Kosova nuk i ka miratuar, me kultura gjyqësore që nuk marrin parasysh historinë tonë, dhe me një gjuhë të drunjtë që nuk e njeh peshën morale të çlirimit.

E di këtë jo si vëzhgues i jashtëm, por si dëshmitar i drejtpërdrejtë i mënyrës se si u ngrit kjo gjykatë. Kur Millosheviqi dhe të tjerët u burgosën në Tribunalin e Hagës për krime në të gjitha luftërat e ish-Jugosllavisë, pas skenës u zhvillua një bisedë e rëndësishme mes Zoran Gjingjiqit dhe Carla del Pontes. Ishte Gjingjiqi që kërkoi, në emër të një “ekuilibri politik”, që edhe krerët e UÇK-së në të gjitha zonat e saj ushtarake të hetoheshin një ditë. Premtimi që ajo i dha, më shumë se ligjor, ishte politik.

Dhe siç e dimë u bënë gjyqe kundër komandantëve të zonave dhe u dënuan me qindra vite burg. Po dihej se kjo nuk ishte mjaft.

Kam qenë që në fillim kundër kësaj Gjykate Speciale. Në dhjetor të vitit kur Kuvendi i Kosovës u thirr për të diskutuar shfuqizimin e saj, kam bërë gjithçka që ajo të mos merrte më frymë si krijesë e pakontrolluar politike. I kam thënë hapur Hashim Thaçit në atë kohë se ajo që po bënte ishte një vetëgjyq i kombit të tij, një mekanizëm që një ditë do të përdorej kundër tij personalisht. Dhe kështu ndodhi.

Nuk kam shkruar më herët për këtë proces sepse të gjithë ata që ishin histerikisht kundër meje dhe kundër çdo përpjekjeje për ta ndalur këtë gjykatë, duke u angazhuar personalisht që të votohej, sot janë shndërruar në mbrojtësit më të mëdhenj të Hashim Thaçit dhe të të tjerëve dhe pa pikë fytyre harrojnë se çfarë dëmi i kanë bërë këtij procesi duke e përkrahur. Edhe disa nga dëshmitarët që ndodhen sot në Hagë kanë shpikur situata gjatë marrjes në pyetje, duke ndërtuar rrëfime të pavërteta me idenë që gjithë barra e luftës t’i lihej vetëm një njeriu. Sepse nuk e kanë imagjinuar se mund të burgosej një president. Duke gënjyer, kanë ngritur një proces kundër vetes dhe kundër UÇK-së. Vetëm unë që kam parë çdo ngritje dhe çdo luftë të UÇK-së e di se ka pasur mundësi për çka do qoftë, por jo për krime lufte. Zero. Prandaj, dëshmitarët kanë përdorur farsën për të ndërtuar një histori të paqenë. Kjo është e vërteta, zonja Trendafilova. Dhe prandaj nuk kam shkruar deri sot. Sepse të pafytyrët janë ende të zënë duke u marrë me mbrojtjen e Hashim Thaçit. Po ata që i kam parë me sy duke u hakërruar dikur për ta dërguar në Hagë.