Ishte shef i Drejtorisë Politike në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Kurse pas luftës, barti funksionet kryesore shtetërore, nga deputeti, kryeministri deri te presidenti i vendit. Ai aktualisht po akuzohet në Hagë si i dyshuar për krime lufte.
Megjithëse aktiviteti i Thaçit në luftë, sipas Ramush Haradinajt, ishte i përkohshëm.
Mbrëmë në emisionin Respublika, i pari i AAK-së, tha se ish presidenti i Kosovës në luftë ishte turist.
“Zoti Thaçi turist është, më falni në shprehje. Turist është, ai ka qëndruar në Drenicë, ai ka qëndruar në Rogner, ka qëndruar diku tjetër”, ka deklaruar Haradinaj.
E ndaj kësaj deklarate, pati reagime të shumta në vend.
I pari ishte deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Mërgim Lushtaku ka thënë se kjo është e pavërtetë.
Nga ana tjetër, ish deputeti i Nismës, Zafir Berisha ka thënë se Haradinaj duhet të kërkoj falje për këto deklarata të bëra.
“Nuk e di se në çfarë gjendje emocionale dhe shpirtërore ka mundën me qenë në atë moment, mirëpo RamushI duhet me kërku falje për lapsusin e bërë! Lufta për sa e di unë nuk ka filluar me 24 mars 1999, sepse ata që u vranë para kësaj date duke përfshi edhe vllaun e Ramushit nuk do të ishin heroi të UÇK-së. Ne që e kemi sulmuam milicin e Serbisë 1993, dikush që dihet edhe 1992, nuk është korrekte të themi që Ramushi në atë kohë ka qënë duke punuar në “baushtellë” në Zvicër!!!”, ka shkruar Berisha.
Këto përplasje, u komentuan edhe nga opinionistët.
“Deklaratë strategjike e Ramushit për Hashimin. Çka me bo që Zafa e do tjerë si Zafa nuk e kuptojnë”, ka thënë analisti, Imer Mushkolaj.
Haradinaj përveç për ish-presidentin Thaçi, si turist në luftë e ka cilësuar edhe komandantin Rrustem Mustafa, i njohur me nofkën Remi.