Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, mban konferencë për media.
Kështu ka njoftuar Zyra për Media e Kuvendit të Kosovës, raporton Scanner.
Konferenca do të mbahet në ora 10:00, por nuk dihen arsyet e konferencës.
Ndryshe, një punim i vitit 2012, në të cilin bashkautor ishte edhe kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka nxitur reagime të shumta ditën e djeshme. Madje u kërkua edhe dorëheqja e Bashës nga posti i kryeparlamentarit.
Në punimin me titullin: “Globalizmi në Ballkanin Perëndimor: Krimi transnacional, islami fundamentalist dhe aleancat e padrejta”, thuhej se “sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara”.
Kthimin e shkrimit të tij në fokus, ai e quajti si sulm “me të pavërteta nga qarqe të caktuara”.
“Punimi që po qarkullon në media është i vitit 2012, në kohën kur unë kam qenë student. Autorësia ime në këtë artikull i përket vetëm Kapitullit 3, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën. Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë. Në lidhje me këtë çështje, tashmë është sqaruar për media edhe vet autorja Jana Arsovska, e cila ka dërguar një email demantues, dhe e ka bërë të qartë që unë kam dorëzuar për publikim vetëm Kapitullin 3 dhe mbaj përgjegjësi vetëm për përmbajtjen në atë kapitull.”, ka shkruar Basha ndër të tjera të mërkurën mbrëma.
Po sot, Kuvendi i Kosovës sot i vazhdon punimet në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Në seancën e së martës, Dimal Basha u zgjodh kryetar me votat e partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje dhe të dy partive tjera të mëdha shqiptare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Po të njëjtën ditë u zgjodhën edhe tre nënkryetarët nga partitë shqiptare dhe një nga pakicat joserbe.
Procesi u bllokua te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb .