Skuadra italiane Lecce ka shprehur interesim për të nënshkruar me sulmuesin shqiptar Arbër Hoxhën nga Dinamo Zagreb.
Afati kalimtar i janarit tashmë është hapur dhe disa klube italiane, përfshirë Leccen kanë nisur punën për t’u përforcuar për pjesën e mbetur të këtij sezoni.
Siç raporton gazetari italian Gianluca di Marzio, drejtori i Lecces Pantaleo Corvino është duke e vëzhguar nga afër Hoxhën, që po mahnit te klubi kroat.
Me lëndimin e Lameck Banda, shqiptari po vlerësohet si alternativa adekuate e Marco Giampaolos.
Hoxha vlerësohet si një anësor natyral i majtë, por ka aftësitë për të luajtur në të tre pozitat në ofensivë, ndërsa vlerësohet lartë për shpejtësinë dhe krijimin e rasteve për bashkëlojtarët.
Raporti shton se një transferim i tillë do të ishte investim i mençur për Lecce, me Hoxhën që mund të shitet pastaj te ndonjë skuadër edhe më e madhe evropiane.
Hoxha vlerësohet rreth 1.5 milionë euro në “Transfermarkt”, kurse nuk dihet nëse Dinamo Zagreb do të pranonte ta shiste këtë muaj.