Rreth një muaj më parë, dy zyrtarë të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës ishin rrahur fizikisht mes vete.
Rreth një muaj më parë, dy zyrtarë të këtij institucioni ishin rrahur fizikisht mes vete.
Siç ka mësuar televizioni, zyrtari Alban Çollaku është kanosur dhe sulmuar nga Luan Morina i cili mban pozitën e zëvendësdrejtorit ekzekutiv të Shërbimit Gjeologjik të Kosovës.
Madje, Çollaku kishte vendosur që rastin ta denoncojë në Polici.
Po ashtu në Polici ishte shoqëruar edhe i dyshuari për rrahje, Luan Morina, ku në konsultim me prokurorin kompetent, nga Policia është iniciuar rasti ‘Kanosje’.
“Me datë 17.05.2022 kemi marrë informatën se në rrugën ” Bill Klinton” në Prishtinë, një person është sulmuar dhe kanosur nga kolegu i tij. Aktualisht policia ka nisur një hetim preliminar lidhur me rrethanat e këtij rasti, me qëllim ndriçimin e plotë të ngjarje”.
Për këtë arsye, Alban Çollaku, i cili mban pozitën e drejtorit për Gjeologji Regjionale brenda Shërbimit Gjeologjik, me datë 18 maj, përmes një shkrese zyrtare të cilin e ka siguruar T7, kishte kërkuar nga ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli, që të nisë procedura ligjore ndaj Morinës me arsyetimin se i njëjti ka bërë shkelje të rendit disiplinore.
Por, kjo kërkesë, siç duket nuk është marre fare parasysh nga e para e këtij dikasteri.
E, as nuk iu janë përgjigjur interesimit të televizionit për këtë çështje.
Siç ka mësuar televizion përmes burimeve, sulmi i Luan Morinës ndaj Alban Çollakut nuk është i vetmi.
Përmes një peticioni të cilin e ka siguruar televizioni, bëhet e ditur se shtatë nëpunës të Shërbimit Gjeologjik, kishin kërkuar nga ministrja Artane Rizvanolli që ta shkarkojë Luan Morinën nga pozita e zëvendësdrejtorit të këtij institucioni, për shkak që sipas tyre, i njëjti kishte pasur sjellje dhe veprime jo të mira ndaj kolegëve të punës.
Por, edhe në këtë rast kishte heshtur ministrja Rizvanolli.
Televizioni ka kontaktuar me dy zyrtarët e përfshirë në këtë sulm, për të sqaruar arsyet e këtij incidenti.
Të dytë nuk kanë dashur të prononcohen para kamerave.
Megjithse, arsyet e rrahjes i kanë bërë të ditura përmes përgjigjeve me shkrim.
Drejtori për Gjeologji Regjionale, Alban Çollaku, thotë se ai është sulmuar nga Luan Morina pasi ka refuzuar të krye veprime joligjore.
“Arsyeja kryesore e këtij sulmi dhe kërcënimi që më është bërë nga z. Luan Morina, është refuzimi im për te kryer veprime qe bien ndesh me autorizimet e mija ligjore, pra refuzimi për te kryer punë të kundërligjshme.”
Në anën tjetër, Luan Morina ka tjetër sqarim.
“Fillimisht, dëshiroj të shpreh keqardhjen time për debati/diskutimit verbal që ka ndodhur në objektin e SHGJK – së. Bazuar në faktet e përmendura më lartë, dëshiroj të distancohem plotësisht nga akuzat e pabazuara të zyrtarit të SHGJK-së, kjo për faktin që procesi është duke u trajtuar në nivel të organeve përgjegjëse të drejtësisë. Megjithatë, është shumë e rëndësishme të potencohet që unë kam vepruar në përputhje të plotë me përgjegjësitë dhe kompetencat sipas legjislacionit në fuqi, e për më tepër nga pozita e shërbyesit civil kam kërkuar që të përmirësohen proceset e punës dhe llogaridhënia në këtë institucion, për të cilin fatkeqësisht është raportuar në kontekstin negativ në media në të kaluarën”.
Luan Morina vazhdon ende ta ushtrojë postin e zëvendësdrejtorit në Shërbimin Gjeologjik, megjithëse, rasti i tij për sulm ndaj drejtorit për Gjeologji Regjionale, Alban Çollakut, është ende i hapur në polici.