Autoritetet kroate kanë arrestuar një pilot të forcave ajrore kroate që kishte punuar edhe në KFOR dhe të dashurën e tij serbe nga Mitrovica, nën dyshimet për spiunazh për Serbinë. Për këtë të fundit, mendohet se lidhjet saja, pra të serbes Ana Murganiq, shkojnë deri tek presidenca serbe dhe kryeministria e Kosovës.
Lidhur me këto ka reaguar zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu. Kryeziu ka thënë se qasja në informacionet e rëndësishme dhe konfidenciale të zyrës së Kryeministr është strfikt e kufizuar, dhe se stafi i kësaj zyre përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave të cilat përbëhen nga të emëruar politikë
‘‘Në lidhje me pretendimet se personi me inicialet A.M., serbe nga Mitrovica, e cila është arrestuar nga autoritetet kroate për dyshime për spiunazh për Serbinë, ka pasur lidhje edhe me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, në krye të herës duam ta bëjmë të qartë për publikun se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave të cilat përbëhen nga të emëruar politikë. Më tej, duam të theksojmë se qasja në informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit është strikt e kufizuar’’, ka thënë ai.
Tutje, Kryeziu ka hedhur poshtë pretendimet se Murganiq mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme nga kjo zyre.
‘‘Andaj ne hedhim poshtë çdo pretendim se personi në fjalë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit’’, ka shtuar ai.
Më tej, zëdhënësi në postimin e tij ka thënë se vitet e fundit Serbia ka rritur aktivitetet e spiunazhit, gjë për të cilën, qeveria në vazhdimësi ka ngritur në publik shqetësimet e tyre mbi aktivitetet e inteligjencës serbe në territorin e Republikës së Kosovës.
‘‘Viteve të fundit, si pasojë e humbjes së kontrollit në veri përmes rrjetit kriminal të udhëhequr nga Millan Radojiçiq, Serbia ka rritur aktivitetet e spiunazhit dhe ne vazhdimisht kemi ngritur në publik shqetësimet tona mbi aktivitetet e inteligjencës serbe në territorin e Republikës së Kosovës. Ju kujtojmë se në muajin korrik një toger i Policisë së Kosovës, i etnisë serbe, ishte arrestuar mbi dyshime të bazuara për veprimtari spiunazhi në Republikën e Kosovës, për interesa të Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA), me synim rrezikimin e sigurisë në përgjithësi dhe operacionet e Policisë së Kosovës në veçanti. Kurse në shkurt ishte arrestuar një person tjetër mbi dyshime për spiunazh, po ashtu e etnisë serbe, e cila punonte në misionin e OSBE-së në Kosovë. Institucionet tona të sigurisë dhe inteligjencës po punojnë në vazhdimësi e me vigjilencë të lartë, dhe suksesshëm po i kundërvihen përpjekjeve të dashakeqe dhe destabilizuese të Serbisë në Kosovë’’, ka vijuar ai.
Në fund, Kryeziu ka bërë të ditur se institucionet e Kosovës janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve.
‘‘Duke qenë se veprimtaria e A.M. dhe shtetasit kroat, të dy të arrestuar në Kroaci, është zhvilluar në Kosovë, institucionet tona janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit’’, ka përfunduar ai.