6.8 C
New York
Thursday, February 27, 2025

Buy now

Dyshimet se gjyqtarët po ia mbajnë anën Prokurorisë: Specialja rrëzon ankesën e avokatëve të krerëve të UÇK-së

- Advertisement -

Gjykata Speciale me seli në Hagë e ka rrëzuar ankesën e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku ata kërkonin nga gjyqtarët të mos ia mbajnë anën Prokurorisë gjatë intervistimit të dëshmitarëve.

Në vendimin që e ka parë gazeta Nacionale, gjyqtarët e Speciales kanë theksuar se nuk ka pasur ndonjë rast ku ata kanë bërë pyetje jo të duhura për dëshmitarë.

Sipas vendimit, avokatët nuk kanë ofruar raste konkrete ku mbrojtja është paragjykuar, dhe ku gjyqtarët kanë favorizuar prokurorinë.

“Në lidhje me parashtresat e Mbrojtjes se shpeshtësia e përdorimit të pikave të Rregullit 102(3) dhe Rregullës 103 ka krijuar një frikë të njëanshmërisë dhe se Paneli është duke hetuar rastin e vet, Paneli kujton se ka fuqi të gjerë diskrecionale për t’u bërë dëshmitarëve çdo pyetje që gjykohet e nevojshme për sqarimin e dëshmisë të tyre. Kolegji i Gjykatës së Apelit ka vendosur që Paneli mund të përdorë pikat e Rregullës 102(3) dhe Rregullës 103 gjatë marrjes në pyetje gjyqësore. Përsëri, Mbrojtja nuk përmend ndonjë shembull specifik ku konsideron se Paneli ka keqpërdorur diskrecionin e tij të gjerë për t’iu drejtuar dëshmitarëve çfarëdo pyetje që konsiderohet e nevojshme për sqarimin e dëshmisë së tyre ose zbulimin e së vërtetës. Në lidhje me çdo paragjykim ndaj mbrojtjes, Paneli rikujton se Mbrojtja ka të drejtë të rihapë pyetjen e tyre në bazë të pyetjeve të bëra dëshmitarëve nga Paneli ose të kërkojë më shumë kohë për të shqyrtuar dokumentet nëse është e nevojshme”, thuhet në vendim, raporton Nacionale.

Sipas këtij vendimi, Gjykata e Apelit në Hagë, vlerësohet se ka konstatuar se gjyqtarët mund të bëjnë çfarëdo lloj pyetje për dëshmitarët. Kjo shpesh, është kritikuar në Kosovë, pasi pyetjet e gjyqtarëve janë vlerësuar në shumë raste orientuese dhe sygjestive.

“Në lidhje me këtë, Kolegji i Apelit më parë kishte konstatuar se Rregulla 127(3), e cila ofron bazën ligjore për kompetencën e Panelit për të marrë në pyetje dëshmitarët,nuk vendos asnjë kufizim në temën e pyetjeve të Panelit për dëshmitarët. Përkundrazi, Paneli ka një kompetencë të gjerë diskrecionale për t’u bërë dëshmitarëve çdo pyetje që konsiderohet e nevojshme për sqarimin e dëshmisë së tyre ose zbulimin e së vërtetës”, thuhet në vendim.

Ankesa e avokatëve

Pyetjet e gjyqtarëve ndaj dëshmitarëve në rastin e krerëve të UÇK-së, kanë alarmuar avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Me një letër të unifikuar, mbrojtja e ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë ngritur alarmin, duke kërkuar nga gjyqtarët e rastit të mos ia mbajnë anën e Prokurorisë.

Në letrën të cilën e ka parë gazeta Nacionale, thuhet se pyetjet e gjyqtarëve po e shtyjnë përpara rastin e Prokurorisë, dhe nuk po e sfidojnë të vërtetën. Sipas avokatëve, ata po paragjykohen nga gjyqtarët e rastit.

“Është thelbësore që trupi gjykues jo vetëm që duhet të ushtrojë funksionet e tij në mënyrë të paanshme, por duhet të sigurojë edhe shfaqjen e paanshmërisë. Marrja gjyqësore e pakufizuar në pyetje e dëshmitarëve, gjatë gjithë këtyre procedurave dhe veçanërisht gjatë bllokut të provave 21 tetor 2024 – 7 nëntor 2024, është duke rrezikuar shfaqjen e paanshmërisë në këto procedura dhe duke shkaktuar paragjykim të identifikueshëm për Mbrojtjen. Siç shpjegohet më poshtë, marrja në pyetje nga gjyqtarët po çon përpara çështjen e Prokurorisë ose një çështje gjyqësore të ngjashme me të, duke marrë rolin që normalisht do të luante Prokuroria dhe duke dështuar në sqarimin ose eksplorimin e ndonjë informacioni shfajësues. Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kërkon nga trupi gjykues që të ndërmarrë hapa për të siguruar pamjen e paanësisë dhe për të kufizuar paragjykimet ndaj mbrojtjes gjatë marrjes në pyetje gjyqësore”, thuhet në këtë parashtresë, raporton gazeta Nacionale.

Mbrojtja ka përmendur shqetësime e mëhershme që kanë pasur në këtë temë, duke theksuar edhe pranimin e disa dokumenteve të cilat ishin përdorur gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtarët. Sipas avokatëve, fakti që dokumentet që u nxorën gjatë pyetjeve të gjyqtarëve u pranuan si prova, tregon se ka mungesë të paanshmërisë. Madje, me një vendim të korrikut 2024, gjyqtarët vendosën se nuk lejohen kundërshtime gjatë pyetjeve të gjyqtarëve.

Mbrojtja e krerëve të UÇK-së ka përmendur dokumentet e konvenat ndërkombëtare të cilat prezantojnë rolin e gjyqtarëve, dhe elementeve që duhet të përfshijnë ata gjatë intervistimit, duke sfiduar rastin e Prokrurorisë. Sipas avokatëve, në shumë raste, gjyqtarët kanë bërë më shumë pyetje se vetë mbrojtja.

“Me respekt parashtrohet se tani kërkohen masa për të siguruar paraqitjen e paanësisë në procedurë dhe për të shmangur paragjykimet e pariparueshme ndaj Mbrojtjes. Ndikimi i pyetjeve gjyqësore është i dukshëm nga raportet periodike kohore të përgatitura nga Zyra e Regjistrimit. Deri më 11 nëntor 2024, marrja në pyetje nga gjyqtarët kishte zgjatur 71 orë 36 minuta e 34 sekonda. Kjo përbën 13 ditë kohë gjyqësore, më shumë se një bllok të tërë provash, edhe pa marrë parasysh kohën e nevojshme për marrje në pyetje shtesë pas marrjes në pyetje gjyqësore. Koha e përdorur për marrjen në pyetje gjyqësore tejkalon kohën e përdorur nga tre nga katër ekipet e mbrojtjes. Sido që të jetë, koha që i kushtohet pyetjeve gjyqësore është shumë e konsiderueshme dhe po ndikon në zhvillimin e shpejtë të këtyre procedimeve. Kjo është befasuese pasi çdo boshllëk në prova duhet të adresohet nga palët përmes rishqyrtimit, ndërsa pyetja gjyqësore, e cila zakonisht është për të sqaruar aspektet e provave, nuk duhet të zgjasë më shumë se ajo e një pale në procedure”, thuhet në këtë letër më tutje, raporton Nacionale.

“Megjithatë, më shqetësuese se koha e marrë është mënyra në të cilën kjo pyetje gjyqësore do të perceptohej nga çdo shikues i arsyeshëm. Kjo gjithashtu mund të matet nga raportet periodike kohore. Që nga 11 nëntori 2024, Mbrojtja kërkoi kolektivisht 31 orë e 23 minuta për pyetje të mëtejshme pas marrjes në pyetje gjyqësore; Prokuroria ka shfrytëzuar 12 minuta. Prandaj, Mbrojtjes i është dashur të përdorë më shumë se 100 herë më shumë se sa kohë për marrjen në pyetje të Prokurorisë. Pabarazia e madhe në këto shifra e bën të qartë marrjen në pyetje nga gjyqtarët. Qartë, perceptimi i mbrojtjes ka qenë se ka pasur nevojë për t’iu përgjigjur pyetjeve gjyqësore, ndërsa perceptimi i Prokurorisë është se nuk ka pasur një nevojë të tillë”, thuhet më tutje

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit