Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, në një konferencë para gazetarëve ka shpalosur disa kontrata të nënshkruara nga zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, që udhëheqet nga Liburn Aliu.
Bëhet fjalë për 4 kontrata kornizë për mirëmbajtje verore dhe dimërore, të cilat janë nënshkruar nga ish-zyrtari i kësaj ministrie Nexhat Krasniqi dhe zëvendësministri Hysen Durmishi, ku sipas deputetit Berisha ishin nënshkruar pasi që Krasniqi ishte shkarkuar si shef i zyrës së prokurimit në këtë ministri.
“Si ka mundësi që zyrtari i shkarkuar të nënshkrojë kontrata me vlerë qindra mijë euroshe, për derisa ishte i shkarkuar”, u shpreh Berisha.
Në fund, teksa publikoi shifrat e këtyre kontratatave, Berisha iu drejtua me pyetje kryeministrit Kurti.
“Ftoj kryeministrin Kurti të deklarohet për këtë skandal dhe të japë llogari për “meshqit” e tij të cilët po tregohen mjaft aktiv në dallaveret me tenderë”, përfundoi Berisha.
Njoftimi i plotë:
Sot, para gazetarëve shpalosa faktet për skandalin në Ministrinë e Infrastrukturës, ku të përfshirë janë ish-zyrtari i kësaj ministrie dhe zëvendësministri Durmishi.
Bëhet fjalë për 4 kontrata kornizë për mirëmbajtje verore dhe dimërore të cilat janë nënshkruar nga Krasniqi dhe Durmishi.
Si ka mundësi që zyrtari i shkarkuar të nënshkrojë kontrata me vlerë qindra mijë euroshe, për derisa ishte i shkarkuar?
Ftoj kryeministrin Kurti të deklarohet për këtë skandal dhe të japë llogari për “meshqit” e tij të cilët po tregohen mjaft aktiv në dallaveret me tenderë.
Këto janë kontrata e nënshkruara kundërligjshëm:
1. Kontrata publike kornizë Nr. 205-22-865-2-1-1/c303 dhe 037/2022 në vlerë prej 138,953.44 euro, e nënshkruar nga Nexhat Krasniqi dhe Hysen Durmishi më datë 27.06.2022;
2. Kontrata publike kornizë Nr. 205-22-865-2-1-1/c304 dhe 036/2022, në vlerë prej 123,262.41 euro, e nënshkruar nga Nexhat Krasniqi dhe Hysen Durmishi më datë 27.06.2022;
3. Kontrata publike kornizë Nr. 205-22-865-2-1-1/c306 dhe 034/2022 në vlerë prej 61,221.61euro e nënshkruar nga Nexhat Krasniqi dhe Hysen Durmishi më datë 25.07.2022, dhe
4. Kontrata publike kornizë Nr. 205-22-865-2-1-1/c305 dhe 036/2022 në vlerë prej 88,472.00 euro e nënshkruar nga Nexhat Krasniqi dhe Hysen Durmishi më datë 25.07.2022