![Dyshimet për bartjen e votave nga Martin Berishaj, reagon kryetari i KQZ-s Dyshimet për bartjen e votave nga Martin Berishaj, reagon kryetari i KQZ-s](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2025/02/FB_IMG_1738854035660.jpg)
Kreshnik Radoniqi, kryesues i KQZ-së ka thënë se si KQZ nuk kanë informata zyrtare se çfarë ka ndodhur me një pjesë të votave të diasporës në Zagreb.
Kjo pas dyshimeve se ato janë marrë nga ambasadori Martin Berishaj dhe janë dërguar në ambasadë.
Kjo deklaratë e tij, në mbledhjen e KQZ-së vjen pas raportimeve se ambasadori Martin Berishaj, ka marrë votat nga kutitë postare në Zagreb, dhe i ka dërguar në ambasadë.
“Zyrtarisht ende nuk dimë asgjë. Kemi dëgjuar edhe prej mediave, zyrtarisht nuk e dimë çka ka ndodhur kjo mbetet që të vërtetohet. Stafi i secilës ambasadë është emëruar që të jetë pjesë e tërheqjes së këtyre, por se si ka shkuar aty procedura nuk e di”, ka thënë ai i pyetur nga mediat në mbledhjen e mbajtur të premten.
Në anën tjetër, anëtari i VV-së në KQZ, Alban Krasniqi, ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në këto raportime.
Madje, ai ka akuzuar edhe mediat.
“Është tërësisht e pavërtetë prej kontekstit qysh e kemi trajtuar. Tërësisht e pavërtetë dhe është si mënyrë të informimit e ulët dhe përpjekje për me denigruar integritetin qoftë të institucionit të KQZ-së dhe MPJD-së dhe ambasadorit në fjalë. Ne falë të cilëve kemi arritur sot t’i realizojmë me sukses të gjithë procedurat të cilat kanë mundësuar regjistrimin, votimin në postë, sjelljen e zarfeve në adresat postare dhe bartjen e tyre. Me këta ambasadorë, zyrtarë të përfaqësive diplomatike kemi arritur me sukses që t’i bëjmë të gjithë zarfet”, tha ai.
“Natyrisht në këtë proces dhe jo vetëm këtë ne mund të kemi mungesë të koordinimit të duhur…Le të del sa më parë edhe Prokuroria se ka treguar një interesim të jashtëzakonshëm në këtë çështje. Le ta shikon dhe secilin proces prokuroria është e lirë të verifikojë dhe të sheh se s’ka asgjë për çka është tentuar të paraqitet. Dëmi është publik dhe institucional që dikush me qëllim apo agjenda po tentohet të paraqitet. S’ka asgjë të vërtet me pretendimet që është bërë me këtë qëllim apo tjetër. Le t’i tregohet publikut se sa ato 10-20 zarfe sa kanë mundur me qenë janë tërhequr për shkak të presionit të postës. Ato janë tërhequr prej ekipeve të autorizuara, janë në sef”, theksoi ai më tutje.
Në lidhje me këtë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se kanë nisur hetime për këtë rast.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve për keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë, ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi”, thuhet në njoftim.
Portali Infokusi duke cituar burime diplomatike, raportoi se votat e dërguara me postë i ka marrë dhe personalisht i ka dërguar në ambasadë.