18 C
New York
Monday, March 10, 2025

Buy now

Dyshimet për afera korruptive në disa ministri, Kadrijaj: Kjo është “Qeveria e shpresës”

- Advertisement -

Dje Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në një konferencë për media kanë pretenduar se ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, kanë keqpërdorur 1.1 milion euro nga buxheti i Kosovës.

Në anën tjetër, në media është publikuar edhe një audio-incizim ku është aluduar për një aferë korruptive në Ministrinë e Infrastrukturës të udhëhequr nga ministri Liburn Aliu.

Për këto pretendime, sot Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur për opinionin se ka nisur hetimet për publikimet që janë bërë dje në media.

Në anën tjetër, ndaj këtyre pretendimeve kanë reaguar edhe partitë e tjera opozitare në Kosovë.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, në një prononcim për lajmi.net ka deklaruar se “kjo është ‘Qeveria e shpresës’ të cilën e kanë proklamuar Lëvizja Vetëvendosje”.

“Këta i kanë njollosur të gjitha qeveritë paraprake dhe ende thirren në kohën e para-qeverisjes së tyre duke u munduar t’i arsyetojnë dështimet e tyre. Këta jo që i kanë shantazhuar, por edhe pa pasur skandale i kanë prodhuar skandalet për zyrtarët e tjerë të qeverive, ndërsa tash po përsëritet në qeverinë e tyre dhe mirë që po bëhen publike të gjitha këto e po shihet që në të vërtetë nuk është ajo qeveri që njerëzit kanë votuar e kanë shpresuar në të”, ka thënë Kadrijaj.

E për akuzat e drejtuara ndaj tyre dje kanë reaguar ministrat Gërvalla dhe Damka.

“Jo 1.1 milion euro, por as edhe 1.1 Cent”, ka shkruar ministrja Gërvalla në Facebook.

Edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR), e cila udhëhiqet nga Fikrim Damka, ka hedhur poshtë akuzat e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me keqpërdorimin e 1.1 milion eurove.

“Sqarim për opinionin publik, Ministria e Zhvillimit Rajonal ka një Memorandum të bashkëpunimit me Caritasin Zviceran Organizatë Ndërkombëtare e regjistruar në Kosovë, Caritasi Zviceran është anëtar i rrjetit ndërkombëtar të Caritas. Ai përbëhet nga 165 organizata në mbarë botën, përveç kësaj, organizatat e Caritas-it evropian janë bashkuar në Bruksel për të formuar Caritas Europe. Si rezultat i Memorandumit të bashkëpunimit në mes MZHR-së dhe Caritasit Zviceran derivojnë dy Projekte MARDI dhe YENI ku Caritasi Zviceran mbulon shumën më të madhe të financimit në vlerë prej 1,560,000.00 € e cila vjen nga Zvicera, dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal bashkëfinancon këto dy projekte në vlerë prej 347,000.00 € në vit për vitet 2022-24. MZHR i ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore për të bashkëfinancuar këto projekte dhe është konsultuar paraprakisht me të gjithë akterat relevant për të marr pëlqimet e nevojshme”, thuhej në komunikatën e MZHR-së për media.

Sa i përket raportimeve për dyshimet për aferë korruptive në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të drejtuar nga ministri Liburn Aliu, ka reaguar këshilltari i tij, emri i të cilit është përmendur në audio-incizimet e publikuara në media, Florent Ramqaj.

Ai ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në këto sulme me shpifje.

“Pikërisht në kohën kur lëre që nuk ka keqpërdorime por edhe ku janë duke u luftuar e denoncuar cdo ditë keqpërdorimet e mëdha që kanë ndodhur, sidomos në ministrinë Infrastrukturës, sot qenka publikuar një emision, ku për ironi lakohet emri im për kinse keqpërdorime. Sot, pastërtine time unë po e shprehi në dy mënyra. Së pari, duke i cilësuar si të pasakta dhe të pavërteta pretendimet edhe interpretimet e bëra – që më së shumë tregojnë për familjarizimin e autorit të këtij emisioni me praktikat korruptive të deritanishme. Së dyti, duke shprehur gatishmërinë por edhe duke u bërë thirrje të gjitha institucioneve të hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë cdo dyshim mbi veprimtarinë time përgjatë kohës sa jam i angazhuar në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet ndër të tjerash në reagimin e Ramqajt.

Ramqaj ka paralajmëruar gjithashtu ankesë dhe padi për shpifje.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit