Prokuroria Themelore në Prishtina ka njoftuar se ka filluar hetimet për keqpërdorime të mundshme të ambasadorit Martin Berishaj, në procedurën e transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë.
Sipas raportimeve të mediave, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj ka vepruar jashtë çdo procedure zyrtare duke marrë vetë të gjitha zarfet me fletëvotime nga posta dhe duke i dërguar në ambasadë.
Për shkak të këtyre dyshimeve, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka nisur hetimet.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve për keqpërdorimet e mundshme të Ambasadorit M.B. rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë, ka filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin e zgjedhjeve, me qëllim të ruajtjes së këtij procesi”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Për raportimet lidhur me dyshimet për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishaj në procesin zgjedhor ka reaguar edhe KQZ-ja.
Nga KQZ kanë bërë të ditur se do të vlerësojnë nëse tërheqja e pakove me fletëvotimë është bërë sipas ligjeve në fuqi.
“Lidhur me lajmin që po qarkullon për tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutia postare e KQZ-së në Zagreb (Kroaci), sqarojmë se do të vlerësohet nëse tërheqja e pakove me fletëvotime nga kjo kuti postare është bërë sipas akteve nënligjore dhe KQZ do të marrë vendim meritor”, ka thënë për Paparacin Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së