Institucioni i Avokatit të Popullit bën të ditur se ka ndjekur me shqetësim rastet e raportuara ku zyrtarë të Policisë së Kosovës dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve në dy raste të ndara – njëri rast i ndodhur në Klinë dhe rasti tjetër së fundmi në Lipjan, ku për pasojë humb jetën një qytetar.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se ushtrimi i forcës përtej asaj të domosdoshme përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Me këtë rast, Avokati i Popullit rikujton se policia ka për detyrë mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik, por gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për dinjitetin njerëzor. Çdo tejkalim i autorizimeve ligjore dhe çdo formë e dhunës apo keqtrajtimit janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me përgjegjësi të plotë”, thuhet në njoftim.
Tutje sipas njoftimit thuhet se Avokati i Popullit ka hapur procedurë hetimore sipas detyrës zyrtare për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këto raste, si dhe për të monitoruar veprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.
“Institucioni i Avokatit të Popullit kërkon transparencë të plotë nga institucionet kompetente lidhur me hetimin e rasteve. Po ashtu është e rëndësishme të theksohet rëndësia e zbatimit të standardeve profesionale në çdo ndërhyrje policore dhe domosdoshmërinë e trajnimeve të vazhdueshme për zyrtarët e rendit. Avokati i Popullit do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet rreth këtyre rasteve dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve”, thuhet ndër të tjera në njoftim.