Pas denoncimeve publike për procesin e votimit në Mitrovicën e Jugut, ndër ta edhe nga deputeti i PDK-së Artan Behrami i cili tha se “në pothuajse çdo klasë nëpër vendvotime të mëdha janë gjetur fletëvotime me numra serikë të çrregullt nëpër klasa”, Gazeta Express merr vesh që prokuroria dhe policia janë nisur në drejtim të qendrës së numërimit të votave.
Ndërkohë, edhe në media është raportuar se procesi i numërimit është ndaluar në Mitrovicë. Megjithatë, policia ka rekomanduar të pyetet Prokuroria Themelore e Mitrovicës lidhur me këto dyshime, e as nga KQZ nuk janë përgjigjur ende.
Sidoqoftë, një zyrtar i Prokurorisë i tha Expressit se mbrëmë është “konfirmuar që qendrat e votimit janë mbyllë në mënyrë të rregullt”, ndërsa mbrëmjën e sotme në vendin e ngjarjes ku po kryhet procesi i numërimit janë nisur prokuroria dhe policia.






