Ndonëse parregullsitë zgjedhore shpesh lidhen vetëm me një pjesë të Evropës, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë është dëshmi se gabimet u ndodhin atyre që shpesh paraqiten në publik si shembull i proceseve demokratike.
“Për shkak të gabimeve të shumta, zgjedhjet federale do të duhet të përsëriten pjesërisht. Zgjedhjet do të mbahen brenda 60 ditëve nga shpallja e vendimit. Data më e fundit e mundshme është 11 shkurt 2024”, thuhet në njoftimin e Gjykatës, shkruan Tagesschau.
“Njerëzit duhej të prisnin në radhë për një kohë të gjatë, fletët e votimit ishin të dëmtuara ose mungonin fare. Qendrat e votimit duhej të mbylleshin përkohësisht ose të qëndronin të hapura deri në orën 6 pasdite”, thuhet në raportimin e tyre.
Edhe pse zgjedhjet do të përsëriten në një numër të konsiderueshëm vendesh, analistët theksojnë se rezultatet nuk do të lëkundin koalicionin e përbërë nga SPD, FDP dhe të Gjelbrit.