Për dy vjet të plota, nga prilli i vitit 2023 kur ishte arrestuar Nagip Krasniqi, Korporata Energjetike Kosovës vijon të funksionojë me ushtruese detyre të kryeshefit ekzekutiv.
Derisa thirrja e parë për këtë pozitë, vitin e kaluar, kishte dështuar, konkursi i dytë u mbyll në fillim të këtij muaji.
Në KEK nuk dhanë asnjë informacion lidhur me procesin e rekrutimit të kryeshefit të ri të ndërmarrjes.
Sipas Programit për Zbatimin e Strategjisë së Energjisë, vitin e kaluar dhe këtë vit KEK-u do të duhej të përfundonte rehabilitimin e thellë të dy njësive të termocentralit Kosova B dhe një në atë Kosova A.
Këto investime me qëllim rritjen e besueshmërisë dhe kapacitetit të prodhimit, krahas jetëgjatësisë, nuk kanë nisur ende, ndërkaq tejkalojnë vlerën 300 milionë e euro.
“Mos pasja e mandatit të plotë, ashtu siç përcakton Ligji për ndërmarrjet publike dhe Kodi, ka pasur edhe pasojat e veta në mbarëvajtjen e punës së ndërmarrjeve publike të cilat janë reflektuar në dështim për të arritur objektivat strategjike dhe përmbushjen e planit të biznesit.”– Corrwatch
Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti, e vlerësoi absurd funksionimin për kohë kaq të gjatë të ndërmarrjes prodhuese më të madhe të energjisë elektrike në vend, me ushtrues detyre të kryeshefit.
“Nuk e kuptoj se si është e mundur që në një kompani sikur është Korporata Energjetike e Kosovës, ku ka njerëz jashtëzakonisht të zot që kanë dhënë gjithë djersën e tyre për vite të tëra, nëse s’ke nga jashtë njerëz atëherë merr nga brenda. Angazhoje një person që është ekspert i asaj fushe, që di ta menaxhojë atë ndërmarrje, që themi ne – e di me sy mbyllur menaxhimin e saj. Dhe, mos sjellë njerëz që janë të dështuar ose s’marrin vesh fare në atë proces”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, Drejtor në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë.
Referuar investimeve të papërfunduara, të cilat parashihet të rrisin kapacitetin prodhues për rreth 100 megavatë/orë, Ahmeti tha se papërgjegjësinë dhe dështimin po e paguajnë qytetarët dhe ekonomia.
“Sa më shumë prodhim vendor të energjisë që kemi, aq më shumë i ikim importit dhe aq më shumë i ikim arsyetimeve të kompanive në këtë rast KEDS, KESCO dhe të tjera, që duhet të marrim import sepse nuk kemi energji të bollshme brenda”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, Drejtor në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë.
Pas arrestimit të Ngaip Krasniqit, në Prill 2023, Bordi i KEK-ut fillimisht e kishte suspenduar atë dhe e kishte caktuar Përparim Kabashin ushtrues detyre të kryeshefit.
Në Shkurt 2024, Bordi kishte liruar Kabashin nga detyra duke e caktuar ushtrues detyre, Bekir Gërgurin. Ndërsa dy muaj më vonë e kishte shkarkuar Nagip Krasniqin.
Ndërsa më 28 Shkurt të këtij viti, ky organ vendimmarrës i KEK-ut liroi nga detyra edhe Gërgurin, duke emëruar ushtruesin e tretë të detyrës, Gramos Hashanin.