26.9 C
New York
Monday, July 7, 2025

Buy now

Dy vjet nën masa – qindra miliona euro pezull dhe disa miliona euro të humbura

- Advertisement -

Fundi i qershorit shënon dyvjetorin e vendosjes së masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Edhe pse muajin e kaluar Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas, njoftoi se ka nisur heqja graduale e masave, as ajo e as zyrtarë të tjerë të bllokut 27-anëtarësh nuk treguan se cilat projekte janë zhbllokuar.

Për 24 muaj, Qeveria nuk ka publikuar listën e projekteve që janë prekur nga ato që vitin e kaluar ish-Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, i kishte quajtur sanksione.

Teksa prezantoi një listë jo-zyrtare të projekteve të bllokuara, ish-kryetarja e Komisionit parlamentar për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi, theksoi se përkundër kërkesës, Qeveria nuk ia kishte dhënë një të tillë.

“Fakti që Qeveria nuk ka publikuar asnjëherë një listë të qartë të projekteve të humbura është dëshmi e mashtrimit të qëllimshëm ndaj qytetarëve. Transparenca është zero, dhe kjo tregon frikë nga përgjegjësia. Qeveria Kurti ka zgjedhur të fshehë dështimet e veta duke e mbuluar të vërtetën me patriotizëm të rremë dhe propagandë boshe. Në vend që të korrigjojë gabimet që e sollën vendin në sanksione, ka zgjedhur të krijojë armiq imagjinarë. Sot, Kosova është më e izoluar se kurrë, dhe kjo bart emrin e vetëm një njeriu – Albin Kurti”, ka deklaruar Rrezarta Krasniqi, ish-kryetare e Komisionit për Integrim Evropian.

Por, sipas një raporti të Institutit GAP, pasojat financiare nga masat ndëshkuese vlerësohet të jenë qindra miliona euro të pezulluara ose projekte të shtyra pa afat të caktuar. E disa miliona euro të humbura përgjithmonë.

“(Masa) Të cilat i kanë kushtuar Kosovës rreth 613 milionë euro. Në këtë rast janë dy instrumente financiare kryesore të BE-së, Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor dhe Instrumenti i Para-Anëtarësimit. Në këtë rast, nga kjo vlerë  613 milionë euro, 7.1 milionë euro janë humbë në tërësi. Kjo ka ndodhur si rezultat i tejkalimit të afateve të caktuara”, ka theksuar Albana Rukolli, Hulumtuese në Institutin GAP.

Derisa sipas raportit, nga totali i mjeteve të prekura grante dhe kredi, rreth 395 milionë euro janë në kuadër të WBIF dhe rreth 218 milionë në kuadër të IPA, Rukolli listoi disa prej fushave dhe projekteve ku ndikimi ishte më i madh.

“Projekte që i takojnë fushës së mjedisit prej 350 milionë euro, energjisë me 114 milionë euro dhe digjitalizimit me 57 milionë euro. Këto janë fushat më të prekura… Një nga to rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit në Prishtinë, që është në vlerë 165 milionë euro, 90 milionë euro është grant nga WBIF”, ka deklaruar Rukolli.

Të enjten, Qeveria e as kabineti i zëvendëskryeministrit për Integrim Evropian, Besnik Bislimi, nuk dhanë përgjigje lidhur projektet e prekura dhe ndikimin e masave ndëshkuese. /Dukagjini/

Të ngjashme

Të fundit