Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi ka bërë një bilanc të punëve të Qeverisë Kurti.
Ai dy vitet e qeverisjes ka vendosur t’i quaj dy vite të progresit dhe zhvillimit.
Sipas Bislimit, gjatë kohës së qeverisjes Kurti, është zhbllokuar procesi i liberalizimit të vizave, janë miratuar reforma në numër të lartë si dhe kanë ndryshuar dinamikat e dialogut.
Bislimi ka shkruar:
2 vite progres dhe zhvillim.
Në mesin e shumë arritjeve, aplikuam për anëtarësim në BE dhe zhbllokuam procesin e liberalizimit të vizave që qytetarët të lëvizin pa viza jo më larg se 1 janari 2024.
Miratuam numrin më të lartë ndonjëherë të reformave në kuadër të integrimit evropian e nënshkruam marrëveshje financiare nga programet IPA prej të cilave Kosova përfitoi mbi 200 milionë euro.
Në dialogun me fqinjin tonë verior, ndryshuam dinamikat e mëhershme, përfaqësuam dinjitetshëm vendin dhe punuam në zhvendosjen e fokusit të procesit drejt bisedimeve për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Këto dy vite ishim palë konstruktive dhe aktive në proces, e poashtu të vendosur dhe solid në qëndrimet tona, në mbrojtje të interesave të Republikës së Kosovës.
Shumë punë janë filluar e shumë të tjera do të përfundohen në dy vjeçarin tjetër të këtij mandati të parë të plotë qeverisës. Ka ende shumë për të bërë, për të përmbushur objektivat, synimet e ambiciet tona.
Çdo arritje është e përbashkët. Puna e angazhimi jonë, besimi dhe mbështetja juaj. Përtej sfidave dhe barrierave, vazhdojmë bindshëm drejt sukseseve të reja.
Ju faleminderit shumë!