Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar se dy persona janë arrestuar lidhur me një ngjarje të shtënash me armë zjarri që ka ndodhur në një lokal në Istog më 02.04.2025.
Policia e ka arrestuar të dy të dyshuarit, pas një pune intensive hetimore dhe ka sekuestruar një armë pistoletë 7.62mm, një karikator dhe shtatë fishekë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, ku është raportuar për të shtënat me armë dhe një person të lënduar.
Pas kësaj, Policia ka arritur menjëherë në vendngjarje, ku janë gjetur gjurmë gjaku në dyshemenë e lokalit dhe një xham i dëmtuar.
Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKMF-Istog, ndërsa të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas hetimeve të zhvilluara, më 04.04.2025, është identifikuar dhe arrestuar njëri nga të dyshuarit, ndërsa më 07.04.2025 është arrestuar edhe i dyshuari i dytë.
Pas intervistimit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit. Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.