Nën akuzën për dhunim, Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve A.O dhe D.RR dhe i ka shqiptuar burg të përbashkët prej 14 vjetësh. I akuzuari A.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim prej 8 vitesh, ndërsa i akuzuari D.RR është shpallur fajtor dhe është dënuar me 6 vjet burg.
Ky dënim do të ekzekutohet 15 ditë nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, njofton Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Të pandehurve A.O dhe D.RR iu vazhdohet masa e paraburgimit nga data 12.04.2023 e deri sa ky aktgjykimi të merr formë të prerë, por jo më gjatë se koha e dënimit me burgim të shqiptuar në aktgjykim, ndërsa iu llogaritet masa e paraburgimit në dënimet e shqiptuara”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Të pandehurit A.O dhe D.RR, sipas Gjykatës, obligohen që t’i paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurës penale, përfshirë këtu paushallin gjyqësor prej 100 euro secili veç e veç, kurse në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro secili veç e veç, e në emër të ekspertizës së Institutit të Psikiatrisë Forenzike shumën prej katërqind e pesëdhjetë (450) euro në mënyrë solidare.
Krejt kjo shumë do të paguhet brena 15 ditësh, njofton gjykata.
Ndryshe, e dëmtuara udhëzohet që kërkesën pasurore juridike ta paraqesin në kontest të rregullt juridiko-civil. Ndërsa kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës