Zyrtarët policorë në bashkëpunim me zyrtarët doganorë kanë arritur të parandalojnë një rast të kontrabandës me duhan në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Rasti është identifikuar sot gjatë kontrolleve rutinë të sigurisë. Dy shtetase të Shqipërisë, të cilat udhëtonin nga Prishtina drejt Londrës, janë ndaluar për kontroll pas dorëzimit të bagazheve të tyre. Gjatë inspektimit të dy çantave të tyre, zyrtarët kompetentë kanë zbuluar gjithsej 200 pako me cigare të markës Marlboro Blue – nga 100 pako në secilin bagazh.
Pas konstatimit të tentim-kontrabandës, pasagjeret janë dërguar në zyrën e doganës për procedurat e mëtejme ligjore. Autoritetet kompetente janë duke vazhduar me trajtimin e rastit në përputhje me ligjet në fuqi.
Ky rast dëshmon edhe një herë përkushtimin dhe bashkëpunimin efektiv ndërmjet Policisë dhe Doganës së Kosovës në luftën kundër kontrabandës dhe aktiviteteve të paligjshme në pikat kufitare.