Hetuesit e IPK-së në koordinim dhe me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, kanë vazhduar ndërmarrjen e veprimeve hetimore ndaj personave të dyshuar të inkriminuar në elemente të veprave penale.
Veprimet hetimore kanë përfshirë përveç tjerash edhe intervistimin e personave të përfshirë në këtë rast si dhe të dyshuarve.
Pas punës intensive të Prokurorit të Shtetit dhe IPK-së, dy zyrtarë policorë janë arrestuar si të dyshuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Hetuesit e IPK-së me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.
Për detaje ju lutem i referoheni edhe komunikatës së djeshme si më poshtë lidhur me rastin e njëjtë:
IPK rekomandon suspendimin e një nënkoloneli dhe një kapiteni policor
Prishtinë/Pejë, 20 qershor 2025,
Inspektoratit Policor i Kosovës ka filluar sipas detyrës zyrtare një hetim preliminar pas pranimit të informacioneve nga mediat për një rast ku dyshohej se ishin përshirë dy zyrtarë policorë (një nënkolonel dhe një kapiten policor) në Drejtorinë Rajonale të Pejës.
Hetuesit e IPK menjëherë i janë përgjigjur rastit dhe kanë ndërmarre veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë e Shtetit. Pas ndërmarrjes dhe veprime paraprake, dyshohet se dy zyrtarët policorë janë të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
Incidenti fillestar raportohet të ketë ndodhur më 28.05.2025 kur disa zyrtarë policorë në Pejë ishin njoftuar për një aksident trafiku në rrugën “Shpëtim Bojku” dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë shoqëruar në stacion policor edhe një të dyshuar i cili nuk ishte përfshirë fare në aksident por që ka penguar zyrtarët policorë në realizimin e detyrave të tyre.
Nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohet se kanë ndërhyrë në këtë rast (shoqërimin e të dyshuarit në stacion) duke mos përcjellë rastin për hetim dhe nuk është njoftuar Prokuroria për rast (në kundërshtim me procedurat standarde të veprimit të policisë në raste të tilla), duke i shqiptuar të dyshuarit një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Hetuesit e IPK-së në interes të hetimit kanë rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë (nënkolonelit dhe kapitenit policor) përderisa pritet që në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë të ndërmerren edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast