Shtëpia e së dashurës së Neymarit ka rënë pre e grabitjes mbrëmjen e djeshme në San Paulo të Brazilit.
Mediat e huaja shkruajnë se dy persona të armatosur kanë hyrë në shtëpinë e Bruna Biancardit dhe kanë tentuar ta rrëmbejnë edhe foshnjën njëmuajshe të modeles dhe të futbollistit të njohur brazilian.
Në shtëpi kanë qenë vetëm prindërit e modeles, të cilëve grabitësit u morën sende me vlerë.
Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, përcjell Albeu.
Ngjarja po hetohet si tentativë rrëmbimi, ndërsa dyshohet se 2 personat e armatosur janë ndihmuar nga një i tretë i cili ishte banor i zonës.
Neymar aktualisht ndodhet në Arabinë Saudite pasi nënshkroi për Al-Hilal në gusht, por u lëndua dhe do të mungojë gjatë.