Seanca në Gjykatën Speciale në Hagë rinisi pas pushimit të drekës, ndërsa gjykatësi Charles Smith ua dha fjalën dy përfaqësueseve të Qeverisë amerikane, të cilat po marrin pjesë gjithashtu.
Zyrtaret amerikane po e përcjellin nga salla e gjyqit dëshminë e ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, i cili po dëshmon në mbrojtje të Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së. Ato, me anë të një deklarate, theksuan se synojnë të mos ndërhyjnë dhe të mos e ndërpresin seancën, përveç në raste të veçanta lidhur me burime të brendshme shtetërore.
“Faleminderit shumë. Kam një ndërhyrje të shkurtër në emër të Shteteve të Bashkuara. Siç e keni parë me siguri dëshminë sot në mëngjes, ne synojmë që të mos ndërhyjmë këtu, prania jonë të mos e ndërpresë seancën, përveç në rastet kur është e nevojshme. Për ta bërë këtë gjë, ne ndihmohemi edhe nga dokumentet që zoti Rubin i ka bërdorur dhe të cilave i është referuar, qoftë dokumente që janë bërë publike, siç është raportimi i lajmeve, apo dokumente të brendshme të Shteteve të Bashkuara që janë deklasifikuar. Duke thënë këtë, ne donim të jepnim një vërejtje të shkurtër sa i përket zotit Rubin dhe pyetjes që i është bërë atij për të dhënë informacione në hollësi më të mëdha në lidhje me burimet konkrete dhe përfundimet nga të tjerët brenda qeverisë amerikane, në veçanti shërbimet e inteligjencës, pra zbulimit, ne në këto raste mund të kemi nevojë të ndërhyjmë. Thjesht që ta bëjmë këtë të qartë”, tha njëra nga përfaqësueset.