Zyra e Prokurorisë Speciale ka nisur procesin e paraqitjes së provave përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarit, Kadri Veseli, ish-kryekuvendarit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Tashmë kanë kaluar më shumë se dy orë prej kur dëshmitarja e parë në këtë rast ka nisur ta japë dëshminë e saj, njofton Klan Kosova.
Kujtojmë se kjo seancë është duke u zhvilluar e mbyllur për publikun në mënyrë që të ruhet identiteti i dëshmitares në fjalë.
Në fillim të seancës, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, ajo tregoi se është intervistuar edhe dy herë më parë nga Specialja.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.
Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.