Lajme

Dy lobuesit e Kosovës në ShBA merakli të sushit, i shpenzuan mbi 500 dollarë veç për këtë ushqim

By GAZETA SCANNER 1

August 03, 2024

Tashmë është konfirmuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka paguar 277 mijë dollar Afërdita Rakipin e Avni Mustafajn, kjo për një periudhë rreth një vit.

“REL” të premten raportoi se pse sipas kontratës së lobimit do të ofroheshin këshilla strategjike e përfaqësim i MPJD-së “brenda ShBA-ve”, shumica e takimeve janë zhvilluar nëpër restorante të ndryshme në Prishtinë.

Po ashtu, shumica e shpenzimeve, raportohet të jenë shfrytëzuar në ushqim, gjatë atyre që i kanë deklaruar si takime pune dhe udhëtime.

Sipas publikimit të shpenzimeve gjashtëmujore të Afërdita Rakipit, vërehet se kjo e fundit në “takimet e punës” që ka pasur në Kosovë, shumicën e kohës ka konsumuar sushi. Madje, tetë “takime pune” asaj i kanë kushtuar rreth 400 dollarë.

Edhe Avni Mustafaj shihet se është marakli i sushit po ashtu. Në dy takime pune, ai i ka shpenzuar 110 dollarë për këtë ushqim.

Ndërkohë, dy lobuesit që paguhen nga Kosova, kanë deklaruar se në periudhën korrik 2023-janar 2024, kanë pasur veç gjashtë kontakte.

Rakipi ka deklaruar dy kontakte, ndërsa Mustafa katër. Një takim virtual me ndihmëssekretarin amerikan, James O’Brien dhe zëvendësndihmës sekretarin, Gabriel Escobar, është deklaruar nga të dy si i mbajtur më 13 tetor.

Vlën të theksohet se Rakipi është parë se ka pasur lidhje me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla. Kjo e fundit e kishte etiketuar Rakipin në një postim si sfidë leximi në Facebook.

Rakipi në disa postime, ka qenë mbështetëse e kritikave po ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sidomos me qëndrimet amerikane rreth veriut.

“Shtetet e Bashkuara po gërmojnë kundër marrjes së zyrave të tyre nga kryetarët e zgjedhur në mënyrë demokratike. Ndoshta mund të kishte ndodhur ndryshe, por që kur ne e ndëshkojmë një vend për demokracinë e vet? Diçka seriozisht nuk po shkon me politikën amerikane.” – thuhej në një postim të rishpërndarë nga Rakipi.