Atë fund nëntori të largët të 1912-ës, teksa Ismail Qemali i kërkonte Isa Boletinit që t`i gjente dy djem besnikë nga kosovarët që e kishin shoqëruar atë për në Vlorë, për t`i bërë roje tek dera e zyrës së qeverisë të porsaformuar, ai nuk e kishte menduar kurrë se me atë veprim, pa dashur po sanksiononte themelet e armës së Xhandarmërisë së ardhshme të shtetit shqiptar dhe Gardën e saj.
Kështu Isa Boletini, teksa urdhëronte ata dy djem të rij nga Kosova, që quheshin Ahmet Llapi dhe Halim Bajgora, për të ruajtur kryeministrin e parë të qeverisë së porsakrijuar, po ashtu nuk e kishte menduar kurrë, se i kishte dhënë vetes atributet e Komandantit të Gardës, në qeverinë e parë të shtetit shqiptar. Si vazhdoi më pas krijimi i Xhandarmërisë shqiptare dhe Gardës Kombëtare, e kush ishin njerzit që i komanduan ato?
Zanafilla e krijimit të armës së Xhandarmërisë
Zanafilla e krijimit të armës së Xhandarmërisë shqiptare, ndonëse u nis me ata djem të rinj, kryesisht kosovarë, të cilët ishin nën komandën e Isa Boletinit, nuk e pati jetën e gjatë. Ajo u shpërbë me rënien e qeverisë, pas dorheqjes së kryeministrit të parë shqiptar, Ismail Qemali!
Në fundin e vitit 1913-të e deri në janarin e vitit 1920-të kur u mbajt Kongresi i Lushnjes, ndonëse ekzistonte arma e Xhandarmërisë, nuk mund të flitet për një Xhandarmëri të rregullt të shtetit shqiptar, pasi Shqipëria në atë kohë ishte e okupuar prej fqinjëve dhe mbahej nën administrimin e Fuqive të Mëdha, të cilët u caktuan nga Lidhja e Kombëve për të ruajtur një farë stabiliteti nga trazirat e brendëshme që e kishin përfshirë gjithë vendin dhe nga rreziku që i kanosej nga jashtë, prej ushtrive greke në Jug e atyre serbo-malazeze në Veri.
Në këtë kontekst, ishte dhe ardhja në Shqipëri e kolonelit hollandez, Tomson, i cili mbeti i vrarë në Durrës, në përpjekje për të vendosur rendin e trazuar, nga konfliktet e brendëshme që kishin pllakosur pothuaj të gjithë vendin.
Shkollat e para të Xhandarmërisë
Për herë të parë në Shqipëri, shkollat ushtarake, ose më saktë kurset për përgatitjen e xhandarëve u hapën në vitin 1919-të, në Vlorë e Gjirokastër. Këto kurse në fakt, kishin filluar të zhvilloheshin që më përpara, para vitit 1919-të, kur në Tiranë, nën kujdesin e ushtarakëve austro-hungarezë, filloi përgatitja e ushtarëve dhe oficerëve që do të inkuadroheshin në armën e xhandarmërisë, që kishte si detyrë ruajtjen e rendit e të qetësisë, jo vetëm në qytetet kryesore, por deri në fshatrat e komunave më të largëta të vendit. Këto kurse, u zhvilluan nën komandën e major Ismail Haki Kuçit (me origjinë nga fshati Kuç i Vlorës) dhe kolonelit anglez Ridolf.
Asokohe në ato kurse, që u konsideruan si shkolla e parë e Xhandarmërisë shqiptare, u mblodhën një pjesë e madhe e oficerëve shqiptarë që kishin studjuar jashtë vendit, si në Turqi e Austri, të cilët ishin dhe pedagogët e parë të asaj shkolle. Pas kësaj, në vitin 1921, në Tiranë u hap një shkollë tjetër, e cila filloi të pergatiste nënoficer dhe ushtarë për trupat e rregullta të ushtrisë. Një vit më vonë, në 1922-in, kjo shkollë u transferua nga Tirana në Vlorë dhe destinacioni i saj u kthye vetëm për përgatitjen e xhandarëve. Kjo shkollë në qytetin e Vlorës, funksionoi deri në qershorin e vitit 1924, kur ndodhi Kryengritja e Qershorit që rrëzoi me forcën e armëve qeverinë e Shefqet Vërlacit, në të cilën Ahmet Zogu mbante postin e Ministrit të Brendshëm.
Kurset për përgatitjen e xhandarëve pas vitit 1925
Me rikthimin e Ahmet Zogut në pushtet në vitin 1925, u krijuan Zonë-Komandat dhe në secilën prej këtyre zonave, u hap nga një kurs për përgatitjen e xhandarëve. Në maj të vitit 1926, në qytetin e Shkodrës u hap një tjetër shkollë xhandarmërije, e cila do të pasohej katër vite më vonë me shkollën që u hap në Durrës.
Me urdhërin e Mbretit Zog, këto shkolla u mbyllën në 1 maj të vitit 1935 dhe u transferuan në qytetin e Burrelit. Transferimi i shkollës së xhandarmërisë për në qytetin e Burrelit, u bë nga ana e Mbretit Zog, për shkak të kërkesave të shumta për të shërbyer në këtë armë, që vinin nga krahinat e Matit, Mirditës dhe Dibrës. Nga kjo shkollë, e cila qëndroi e hapur deri në vitin 1939, kur u krye agresioni fashist italian ndaj Shqipërisë, për çdo vit dilnin një numër i madh xhandarësh, të cilët më pas shpërndaheshin në të gjithë vendin. Po kështu, krahas shkollave dhe kurseve të ndryshme për përgatitjen e xhandarëve, një numër i madh oficerësh të asaj arme, u dërguan jashtë shtetit si në Itali dhe Austri ku mbaruan akademitë ushtarake.
Në vitin 1936, Xhandarmëria Shqiptare kishte një kolonel, 4 nën/kolonelë, 8 majora, 16 kapitena të parë, 32 kapitena të dytë, 40 togera dhe 43 nëntogera, duke pasur gjithsej 144 oficerë në përbërje të asaj arme, me një buxhet të përgjithshëm, prej 3.250. 000 franga ari.
Krijimi i Batalionit Special
Që pas Kongresit të Lushnjes, me rikrijimin e armës së Xhandarmërisë Shqiptare, u vendos dhe krijimi i një Batalioni Special, i cili do të kishte si detyrë kryesore, vendosjen e rregullit e qetësisë në raste trazirash dhe kryengritje kundër qeverisë.
Ky batalion që u vu nën komandën e major Preng Jakut (nga fshati Pruell i Lezhës) i cili ishte shkolluar në një shkollë ushtarake në Vjenë, asokohe u quajt Batalioni Shëtitës, për vetë natyrën e tij, nga që shkonte kudo, duke ndërrmarrë operacione ndëshkimi, në ato krahina ku kishte trazira e prishje të rendit dhe kryengritje kundra qeverisë. Nën komandën e major Jakut, ky Batalion Special i cili ishte në përbërje të Xhandarmërisë shqiptare, arriti që të vinte rregullin e qetësinë dhe të shtypte disa kryengritje kundra qeverisë, si ato esadiste në Durrës, Shijak e Tiranë, Bajram Currit në kalanë e Prezës, (kur sulmoi Tiranën) Gjonmarkajve në Mirditë, kryengritjen e Gashit e Krasniqes etj. Ndonëse major Preng Jaku vdiq aksidentalisht në qershorin e vitit 1923, nga shpërthimi i një bombe, (duke zënë peshk në lumin e Valbonës në Tropojë), Batalioni Shëtitës (special) e vazhdoi aktivitetin e tij, konform mandatit për të cilin ishte krijuar.
Komandantët e Xhandarmërisë
Që pas Kongresit të Lushnjes, në krye të Xhandarmarisë Shqiptare u emërua major, Meleq Frashëri, i cili e mbajti këtë post deri në marsin e vitit 1922, kur u vra në Kamëz, nga sulmet e forcave rebele të Halit Lleshit, Dan Canit, Elez Isufit e kolonel Bajram Currit, të cilët nga drejtime të ndryshme dhe me forca të shumta, sulmuan Tiranën, me synimin për të rrëzuar qeverinë. Pas këtij sulmi që filloi në orët e pasdites, u zhvillua një luftë e ashpër e cila vazhdoi për gjithë natën, nëpër rrugët dhe ndërtesat qeveritare të kryeqytetit, ndërmjet forcave rebele të komanduara nga Elez Isufi dhe atyre qeveritare të Xhandarmërisë që pas vrasjes së komandantit të tyre Meleq Frashëri, i komandonte vetë Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu. Pas dy ditë e dy netësh lufte që tmerroi gjithë popullsinë e kryeqytetit, e cila u mbyll nëpër shtëpia pa e ditur se ç’po ndodhte, Ahmet Zogu arriti që t’i zbrapste forcat rebele të Elez Isufit e Bajram Currit dhe vendosi qetësinë në Tiranë. Pas kësaj u kthyen në Tiranë të gjithë ministrat e deputetët që ishin fshehur në pyjet e Qafë-Krrabës.
Me ndërhyrjen e ambasadorit britanik Eyres që ishte i akredituar në Tiranë, Zogu e fali Elez Isufin dhe e la të lirë të kthehej për në Dibër, duke i dhënë dhe një sasi të madhe floriri me vete. Pas vrasjes së Komandantit të Përgjithshëm Meleq Frashërit, një vit më vonë në qershorin e 1924-ës, në përpjekje me forcat fanoliste të kryesuar nga kolonel Rexhep Shala, që sulmuan Shkodrën, mbeti i vrarë komandanti i xhandarmërisë i atij qyteti, kapiten Ferid Frashëri. Në vitin 1923, vendin e Meleq Frashërit, në krye të Xhandarmërisë Shqiptare, e zuri major Banush Hamdiu, i cili qëndroi në atë post deri në vitin 1924, kur Ahmet Zogu emëroi aty major Aqif Përmetin. Një vit më vonë në 1925-ën major Përmeti ja la vendin nënkolonel Ramiz Dibrës, i cili qëndroi në krye të armës së Xhandarmërisë deri në vitin 1927, kur ja lëshoi vendin nënkolonel Kasem Sejdinit.
Garda dhe truproja e mbretit
Në fillimin e vitit 1925, kur Ahmet Zogu u rikthye në pushtet, ai i kushtoi një rëndësi të veçantë dhe rikrijimit të Gardës së Republikës, që me shpalljen e Monarkisë u quajt Garda Mbretërore. Në krye të kësaj Garde, që përbëhej kryesisht nga malsorë të ardhur nga krahinat e veriut, si Mat, Dibër e Mirditë, Zogu caktoi si komandant major Hysen Selmanin, që ishte njeri i afërt i tij, i cili njihej si nip i Zogut. Po kështu krahas, rikrijimit të Gardës, Zogu zgjodhi dhe truprojën e tij, që asokohe njihej si adjutantura e Presidentit të shtetit. Adjutant i parë i Zogut ishte nënkolonel Zef Serreqi, (Zogu e konsideronte si njeriun më besnik) i cili rridhte nga një familje e njohur shkodrane dhe kishte studjuar në Austri. Si adjutant i dytë u caktua major, Llesh Topallaj. Pas Topallajt, në adjutanturën e Zogut, u caktua dhe Osman Gazepi me origjinë nga Leskoviku, i cili kishte qenë truproja i Esat Pashës, kur ai ishte deputet në Parlamentin turk dhe kapiten Allaman Çupi, që ishte nga Mati, vendlindja e Zogut. Të gjithë këta, me perjashtim të Topallajt që u vra në 1932-in në atentatin e Vjenës, i shërbyen me besnikëri deri në fund Mbretit Zog.
Riorganizimi i Xhandarmërisë
Me shpalljen e Monarkisë në vitin 1928, Xhandarmëria Shqiptare u organizua në rang qarqesh, rrethesh e postëkomandash në përshtatje me shtrirjen gjeografike të popullsisë së vendit. Pas këtij viti, armës së Xhandarmërisë, (ose gushkuqët e Mbretit , siç njiheshin ndryshe, për shkakt të jakave të kuqe), ju kushtua një rëndësi e madhe dhe u ndërtuan një numër i madh postkomandash, deri në skajet më të largëta të vendit. Lidhur me këtë, një nga gazetat e asaj kohe e cila i bënte jehonë riorganizimit të saj, në mes të tjerash shkruante: “Viset, edhe ma të largëta të atdheut, u pasunuen me një tok godinash, në të cilat ushtaraku e shplodhte trupin dhe nga të cilat nisej kur e lypte detyra për të rikthyer paqën dhe rregullin, atje ku ato ishin të cënue. Udhëtari që dikur u trembej maleve tona, kalon sot lirisht dhe i sigurt dhe në kepat ma të braktisuna, mbasi pothuaj nuk ka kand në Shqipninë tonë, që të mos gjindet një votër gjindarësh. Në asht se në kohnat e para, godinat e postë-komandave të kësaj arme nuk paraqitshin as konfortin ma fillestar, regjimi i Mbretit Zog, ju dha një tok ndërtesash të paqme dhe të hijshme për të gjithë ushtarakët që punojnë aty”.
Në 1938-ën, Xhandarmaria shqiptare kishte 3643 efektivë
Në vitin 1928 numëri i përgjithshëm i xhandarëve në të gjithë Shqipërinë arrinte në rreth 3000 vetë. Ky numër erdhi duke u rritur nga viti në vit me afro 100 xhandarë dhe në vitin 1938 numëri i tyre arriti në 3643 vetë, duke përmbledhur dhe policinë qytetëse, siç quhej asokohe policia bashkiake. Xhandarmëria shqiptare që nga krijimi i saj, i qëndroi besnike deri në fund rolit për të cilin ishte krijuar, duke ruajtur në mënyrë korrekte rendin kushtetues. Po kështu, gjatë përpjekjeve për të rrëzuar regjimin Monarkik, siç ishte “Lëvizja e Vlorës” në vitin 1931, “Kryengritja e Fierit” në 1935-ën, “Kryengritja e oficerëve” me në krye vëllezërit Toto, etj., Xhandarmëria Shqiptare luajti një rol kryesor për shtypjen e tyre. Aq besnike i qëndroi ajo Mbretit, saqë në agresionin fashist të 7 prillit 1939 në Durrës, Zogu caktoi si komandant të Mbrojtjes Kombëtare, oficerin e xhandarmërisë major Abaz Kupin.
Gjenerali britanik në Xhandarmëri
Në vitin 1933, Mbreti Zog caktoi në krye të Xhandarmërisë Shqiptare, nënkolonel Shefki Shatkun, i cili ishte një nga oficerët më të përgatitur të asaj arme. Po në këtë vit, Mbreti Zog, thirri në ndihmë të Xhandarmerisë, gjeneralin anglez Perssi, i cili dha një kontribut të madh në forcimin e konsolidimin e asaj arme. Ardhja e gjeneralit anglez, bëri që arma e Xhandarmërisë Mbretërore të vihej mbi bazën e ligjeve dhe rregulloreve të reja përkatëse që u miratuan nga qeveria. Kështu që atë vit, parlamenti shqiptar miratoi ligjin e ri të armës së xhandarmërisë, i cili u shpërnda nëpërmjet buletineve në trupat e asaj arme, në të gjitha qarqet e prefekturat. Mbas shpalljes së Monarkisë, në vitin 1928-të, Mbreti Zog urdhëroi riorganizimin e Xhandarmërisë, duke u mbështetur në një projekt ligj që ishte paraqitur nga ana e qeverisë. Pas kësaj, Xhandarmaria nisi të riorganizohej, duke ndryshuar formën e mëpërparme në batalione, kompani, toga dhe posta. Po në vitin 1930, batalionet u suprimuan dhe xhandarmëria mbretërore u rikthye përsëri në formën e vjetër të saj, e cila mbeti e pandryshuar deri në vitin 1939 kur pushtimi italian shkatërroi përfundimisht regjimin Monarkik të Mbretit Zog, e bashkë me të dhe Xhandarmërinë e shtetit shqiptar…