19.8 C
New York
Wednesday, September 17, 2025

Buy now

Dy anëtarë të BIK-ut po hetohen për “Keqpërdorim besimi”, dyshohen për keqpërdorim të donacioneve

- Advertisement -

Imami i fshatit Serbicë të Prizrenit, Sebahudin Ibrahimi, si dhe ish-imami i fshatit Nashec të Prizrenit, aktualisht anëtar i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Qendrim Ibrahimi, janë duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan lidhur me dyshimet për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i besimit”.

Imami Ibrahimi ka thënë për “Betimin për Drejtësi” se bëhet fjalë për dyshimet për keqpërdorimin e donacioneve të një organizate.Mirëpo, nuk ka dhënë më shumë detaje, duke thënë se ky është një keqkuptim.

“Ajo është një keqkuptim, ajo ka qenë organizata e ka pas aktivitetin e saj që e ka ba, është përdor emri im dhe disa njerëzve te tjerë për pako ushqimore e nuk e di për çka saktësisht u marrë organizata. Unë deklaratën e kam dhanë në Prokurori, rasti është procedurë e sipër. Është keqkuptim ka ndodh, e ka në dorë prokuroria”, ka thënë Ibrahimi.

I pyetur nëse është suspenduar nga detyra si imam nga Bashkësia Islame e Kosovës, nuk është përgjigjur duke e ndal telefonin.

Suspendimin e ka konfirmuar eprori i tij, kryeimami BIK-ut për Prizrenit, Orhan Bislimaj.

“Sebahudini ka qenë i suspenduar, dhe është i suspenduar. Kam qenë në pushim por ka ardhë një rekomandim për shkak që janë hap hetimet kundër tij”, ka thënë Bislimaj.“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga ish-imami tash anëtar i BIK-ut, Qendrim Ibrahimi, mirëpo nuk ka arritur.

Për të, kryeimami i Prizrenit, ka thënë se nuk ka informacione nëse është suspenduar pasi është nën ombrellën e selisë qendrore. Mirëpo, sipas përgjigjes së Prokurorisë Themelore në Gjilan, ish-imami Ibrahimi është mbajtur në paraburgim për një muaj.

“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë përgjigje për këtë dhe nga Bashkësia Islame e Kosovës, mirëpo nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të lajmit.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Gjilan, ka konfirmuar se hetimet janë duke u zhvilluar ndaj katër personave: Q.I., S.I., M.M., dhe M.G.

Tutje, prokuroria ka sqaruar se të njëjtit janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.

Më pas, me vendim të Gjykatës Themelore në Gjilan, ish-imamit Qendrim Ibrahimi i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërsa të tjerëve u është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor.

“Prokuroria Themelore në Gjilan i ka ndaluar për 48 orë dhe ndaj të dyshuarit me inicialet Q.I, ka paraqitur Kërkesë për caktimin e masës së Paraburgimit, dhe ndaj të njëjtit Gjykata i ka caktuar Paraburgimin në kohëzgjatje prej një (1) muaj, e ndaj të dyshuarve tjerë me inicialet S.I, M.M, M.G Prokuroria Themelore në Gjilan ka paraqitur kërkesën për masën e arrestit shtëpiak, kurse Gjykata u ka caktuar masën e paraqitjes në Stacionin policor”.

Të ngjashme

Të fundit