Shqipëria ka një ministre që nuk ka as trup, as firmë, as pasaportë. Sipas ekspertëve Diella nuk është aq një arritje teknologjike, sa një akt shpërqendrimi politik.
As trup, as firmë, as pasaportë – por në Shqipëriajo quhet ministre. “Diella” u shfaq fillimisht në portalin qeveritar e-Albania si asistente virtuale. Disa muaj më vonë, kryeministri Edi Rama e ngriti “në detyrë”, duke e shpallur si ministren e parë virtuale në botë për Inteligjencën Artificiale.
E veshur me kostum popullor shqiptar dhe e ndërtuar mbi algoritme, figura digjitale Diella buzëqesh nga një monitor qeveritar. Rama premtoi një epokë të re, ku “tenderat publikë do të jenë 100% të pakorruptueshëm dhe çdo fond publik 100% transparent.” Për një vend që prej vitesh përballet me korrupsionin, premtimi tingëlloi i njohur.
Ajo flet, buzëqesh, jep përgjigje, por në të vërtetë nuk është gjë tjetër veçse një rresht kodi. Pas qetësisë së saj digjitale qëndron një pyetje krejt njerëzore: çfarë ndodh me përgjegjësinë, kur pushteti zhvishet nga njeriu?
Një precedent jashtë Kushtetutës
Kur presidenti Bajram Begaj miratoi kabinetin e ri qeveritar, “Diella” mungonte. Për ministren virtuale, të shpallur me bujë nga kryeministri, nuk u shkrua asnjë rresht në dokumentin zyrtar. Në vend të saj, neni 2 i dekretit ngarkonte vetë Ramën “me përgjegjësinë për krijimin dhe funksionimin e ministres virtuale”, duke e vendosur sistemin nën autoritetin e tij të drejtpërdrejtë. Në praktikë ky akt i jep kryeministrit kontroll mbi një entitet që nuk ekziston juridikisht.
Sipas nenit 100 të Kushtetutës së Shqipërisë çdo anëtar i Këshillit të Ministrave duhet të jetë person fizik – dikush që mund të mendojë, të votojë dhe të mbajë përgjegjësi morale e politike.
“Vetë nocioni i një ‘ministri të Inteligjencës Artificiale’ nuk ka asnjë bazë në Kushtetutën shqiptare,” – thotë juristi Sokol Hazizaj. “Kuptimi kushtetues i fjalës ‘ministër’ është i pandashëm nga një person fizik dhe nga përgjegjësitë që mbart ai rol. Një minister jep llogari ndaj qytetarëve – diçka që asnjë algoritëm nuk mund ta bëjë.”
Sipas Hazizajt Shqipëria ende nuk ka miratuar asnjë ligj që të rregullojë përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike. Aktet ekzistuese për mbrojtjen e të dhënave personale dhe për shërbimin civil, thotë ai, vetëm prekin në mënyrë të pjesshme çështjet e përgjegjësisë, pa përcaktuar se si mund të veprojë një sistem IA apo kush mban përgjegjësi ligjore për vendimet e tij.
Vetëm një asistente virtuale
Që prej prezantimit të saj si “ministre”, qeveria shqiptare nuk ka dhënë asnjë detaj për bazën e trajnimit të “Diellës”, kodin që e përbën apo nivelin e mbikëqyrjes njerëzore mbi të. Në portalin e-Albania, ajo shfaqet ende si një avatar që përshëndet qytetarët dhe jep përgjigje të thjeshta, por në realitet nuk ka asnjë provë se ajo merr vendime për prokurimet publike.
Agjencia për Media dhe Informacion, institucioni që administron komunikimin qeveritar, nuk iu përgjigj kërkesës së DW për të ndarë këto informacione.
“Aktualisht Diella është vetëm një chatbot, jo një sistem autonom,” shpjegon eksperti i IT-së, Besmir Semanaj, i cili ka 17 vite përvojë në këtë fushë. “Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në proceset qeveritare nëse trajnohet dhe mbikëqyret siç duhet, por problemi i vërtetë është mungesa e transparencës. Ne nuk dimë mbi cilat të dhëna mbështetet dhe kush mban përgjegjësi për mirëmbajtjen e saj.”
Miratuar në vitin 2024 Ligji Evropian për Inteligjencën Artificiale – rregullatori i parë gjithëpërfshirës në këtë fushë – e klasifikon këtë lloj sistemi “me rrezik të lartë.” Në kontekstin evropian, çdo algoritëm që ndikon në administratën publike duhet të shqyrtohet dhe të miratohet nga një vendimmarrës njerëzor – një garanci kundër asaj që Brukseli e quan “automatizim pa përgjegjësi.”
Si vend kandidat për në Bashkimin Evropian Shqipëria ende nuk është e detyruar t’i zbatojë këto standarde, por është zotuar t’i përafrojë. “Nëse ndërtojmë sisteme të bazuara në inteligjencë artificiale, duhet të ndërtojmë edhe institucione që i mbikëqyrin dhe i kontrollojnë ato,” paralajmëron Semanaj, “përndryshe rrezikojmë të krijojmë sisteme që askush nuk mund t’i kontrollojë.”
Një shpërqendrim politik?
Më 18 shtator, në seancën e parë të parlamentit të ri, qeveria prezantoi programin për mandatin e katërt. Por kjo seancë që pritej të shoqërohej nga një debat politik zgjati vetëm pak minuta. Sallën e mbuluan britmat, goditjet e tavolinave dhe thirrjet e opozitës.
Kryeministri Edi Rama e ndërpreu fjalën e tij për t’i lënë vendin Ministres për Inteligjencën Artificiale. Ekranet e parlamentit u ndriçuan. Në skenë u shfaq një figurë digjitale, e veshur me kostum tradicional shqiptar, që foli me një zë sintetik e të qetë:
“Mos më gjykoni nga origjina, por nga funksioni. Unë mund të mos jem njeri, por jam kushtetuese, sepse u shërbej njerëzve që e shkruan Kushtetutën,” deklaroi Diella.
Pak çaste më vonë, opozita, që vijon ta kontestojë legjitimitetin e zgjedhjeve të majit, u largua nga salla në shenjë proteste.
Artan Fuga, profesor i komunikimit dhe anëtar i Akademisë së Shkencave, thotë se “Diella” nuk është aq një arritje teknologjike, sa një akt shpërqendrimi politik.
“Rama përdori inteligjencën artificiale për të krijuar një qendër të dytë vëmendjeje,” – thotë ai. “Në vend që të diskutohej legjitimiteti i qeverisëapo programi i saj, opozita e gjeti veten duke debatuar me një avatar.”
Por rreziku, paralajmëron Fuga, shkon përtej teatrit politik. “Në çdo shoqëri ekzistojnë grupe presioni që mund ta përdorin teknologjinë kundër demokracisë” – shprehet Fuga.
“Në një kohë kur Shqipëria ende pyet veten nëse zgjedhjet e saj janë realisht të lira, na thuhet se nuk ka më nevojë të kontrollohet qeveria përmes parlamentit, të shprehet vullneti qytetar apo të kërkohet transparencë etike, sepse inteligjenca e ‘pastër’ mund ta bëjë gjithçka. Pikërisht në atë moment, shteti i së drejtës dhe demokracia dalin jashtë loje.”
Dilemat e vendimmarrjes artificiale
Përtej eksperimentit politik qëndron një pyetje thelbësore: kush vendos në fund? Teknikisht ekspertët pranojnë se një ditë “Diella” mund të marrë vendime vetë. “Gjithçka varet nga ai që e trajnon, nga të dhënat që i jepen dhe nga mënyra se si mbikëqyret procesi” – sqaron Besmir Semanaj.
Megjithatë, pyetja nuk është vetëm nëse mundet, por nëse duhet ajo të vendosë?
Të delegosh gjykimin te makineritë, paralajmëron Artan Fuga, do të thotë të heqësh dorë nga reflektimi moral.
“Algoritmet nuk kanë vetëdije, emocione, ndjenjë drejtësie apo solidariteti,” – thotë ai. “Ato mund të përpunojnë informacion, por nuk mund të peshojnë pasojat morale. Në momentin që racionaliteti teknik ngrihet mbi llogaridhënien politike, rrezikohet vetë demokracia.”/DW/