31.9 C
New York
Tuesday, July 1, 2025

Buy now

Durmishi për dy urat mbi Ibër : Kryhen për 90 ditë, KFOR-i na pyeti çka po ndodh, s’ka arsye me i ndërpre punimet

- Advertisement -

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se sot do të fillojnë punimet për dy ura.

“Në këtë kontratë i kemi dy ura, sot po fillojmë punimet. Kjo është ura për qarkullimin e automjeteve, ndërsa në pjesën tjetër do të bëhet ura për krijimin e dy shëtitoreve, për kalimin e këmbësorëve në të dy anët e lumit Ibër.
Në bazë të kontratës, afati për kryerjen e punimeve është 90 ditë për të dy urat, pra deri në tetor do t’i kemi të përfunduara të dy këto ura – kjo këtu, sigurisht, pak më shpejt”, tha ai për RTV21.

Sa i përket njoftimit të Bashkimit Evropian lidhur me këto ndërtime, Durmishi u shpreh se ky është projekt i Qeverisë së Kosovës.

“Jo, ne nuk kemi diçka zyrtare që nuk i mbështesin këto punime, për shkak se këto janë projekte të Qeverisë së Kosovës, të cilat mundësojnë qarkullimin sa më të lehtë e sa më të mirë të qytetarëve në të dy anët e kufirit. Këto nuk do të jenë të fundit, ne kemi edhe plot projekte të tjera që do t’i realizojmë në këtë hapësirë. Përgjatë lumit Ibër do ta trajtojmë komplet këtë hapësirë që gjendet përreth, në mënyrë që të jetë qarkullimi sa më i lehtë dhe më i mirë për qytetarët në të dy anët e lumit Ibër”, deklaroi Durmishi.

Kur u pyet se si pret të jetë reagimi i KFOR-it lidhur me nisjen e punimeve, Durmishi tha se sot kanë qenë në kontakt me pjesëtarët e KFOR-it që gjenden në atë pjesë.

“KFOR-i nuk ka pasur asnjë reagim. Ne e kemi diskutuar me zyrtarët e KFOR-it që janë këtu. Ata thjesht kanë kërkuar informacione se çka po ndodh. Ju kemi treguar se e kemi një kontratë, e kemi projektin, dhe po fillojmë sot implementimin e tij – dhe asgjë më shumë. Do të thotë, këto janë projekte të Qeverisë së Kosovës që po realizohen në territorin e Kosovës dhe nuk janë projekte në dëmin e askujt, por në të mirën e të gjithëve. Nuk ka asnjë arsye për t’i ndërprerë punimet. Po e zhvillojmë një projekt, ashtu siç po zhvillojmë edhe shumë projekte të tjera në territorin e Kosovës, përfshirë edhe shumë projekte që kemi realizuar në veriun e Kosovës gjatë këtyre viteve”, deklaroi Durmishi.

 

Të ngjashme

Të fundit