Ish-ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka reaguar për situatën me sheshin “Xhorxh Bush”.

Ajo ka thënë se Ministria nuk ka vepruar sipas ligjit, në formën si ka vepruar, duke bllokuar punimet.

Postimi:

Ditëve të fundit Ministria e Kulturës po abuzon me emrin tim në rastin e ndalimit të punimeve në Komunën e Prishtinës. Për hirë të së vërtetës po e informoj opinionin publik se sa isha drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Prishtinës nga viti 2010 deri në vitin 2013, kjo drejtori për herë të parë ka ndërmarrë një sërë masash e veprimesh për të përfshirë në dokumentet strategjike komunale identitetin kulturor të kryeqytetit- Qendrën Historike të Prishtinës me asetet me rëndësi si Kullën e Sahatit, Hamamin e Prishtinës, Xhaminë e Çarshisë, si aset me rëndësi, dhe të investojë në këto asete. Njëkohësisht është vepruar në ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre përmes dokumenteve komunale siç është PLANI ZHVILLIMOR KOMUNAL I PRISHTINËS 2012-2022.

Një gjë e tillë nuk ishte bërë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që nga viti 1999 për Qendrën Historike të Prishtinës (më tej QHPr.), për mungesë vizioni, apo edhe stafi profesional.

Më vonë, në cilësinë e ministres së Kulturës në Qeverinë e Republikës së Kosovës – Qeveria Kurti I, (jo si ministre e apostrofuar e “LDK-së”, pasi që unë nuk kam drejtuar Ministrinë e LDK-së por Ministrinë e Republikës së Kosovës) në përputhje me mandatin dhe detyrimin ligjore, jam angazhuar që Qendrës Historike të Prishtinës, ti ipet statusi që i takon, edhe pse kishin kaluar 20 vite.

Kështu, bazuar në ligjin Nr.02/L-088 për Trashëgimi Kulturore, në pajtueshmëri me nenet 3 dhe 4, listës së trashëgimisë nën mbrojtje të përkohshme – në vitin 2020 i janë shtuar asete të reja nga institucionet publike të trashëgimisë kulturore, ku Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë ndër të tjera ka propozuar për Mbrojtje “Qendrën Historike të Prishtinës”, e që është aset i trashëgimisë kulturore me numër unik në databazë 3998, i përfshirë nën mbrojtje duke parë rëndësinë historike të tij.

Si ministre e Kulturës, i kam thënë Po propozimit dhe përfshirjes së QHPr-së për dhënien e statusit aset nën mbrojtje të shtetit, por Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë nuk e ka siguruar përcaktimin e perimetrit dhe zonës mbrojtëse për këtë aset, dhe një gjë të tillë rezulton se nuk e ka bërë edhe sot e kësaj ditë qysh, nga 12 tetori i vitit 2020, e që shihet qartë nga portalit shtetëror – Geoportal Kosova se edhe sot

(1 maj 2025) Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë nuk e ka kryer detyrën e vet për ta bërë atë pjesë të Regjistrit Kadastral, siç obligohet me ligjin Nr.02/L-088 përkatësisht Nenin 4 – Mbrojtja dhe masat legale, paragrafi – 4.6.

Objektet e trashëgimisë kulturore të përfshira në Listën e trashëgimisë, nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme, regjistrohen nё Agjencionin kadastral dhe gjeodet tё Kosovës, nё tё dyja nivelet; qendror dhe lokal.

Prandaj, edhe përkundër angazhimit tim , qoftë në Komunë dhe më vonë në Ministri që të përfshihet nën mbrojtje Qendra Historike e Prishtinës, po rezulton se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk e paska proceduar këtë çështje ashtu siç e kërkon Ligji, pra nuk e ka përcaktuar perimetrin e zonës mbrojtëse për këtë aset.

Ftoj MKRS të mos e dezinformojë opinionin publik, pasi gjendja dhe dokumentet flasin se vet ajo nuk e ka kryer punën e përcaktimit të perimetrit, siç kërkohet me ligj. Ndërkaq, gjatë punimeve të sheshit të ruhet hapësira historike.