Home Sport Dukagjini mposht Prishtinën, Ferizaj e befason Gjilanin, Llapi fiton ndaj Drenicës

Dukagjini mposht Prishtinën, Ferizaj e befason Gjilanin, Llapi fiton ndaj Drenicës

0
Dukagjini mposht Prishtinën, Ferizaj e befason Gjilanin, Llapi fiton ndaj Drenicës

Kryeqytetasit me këtë disfatë humbën rastin për ta rrëmbyer pozitën e tretë, duke parë gabimin që bëri Gjilani në të njëjtën kohë. Ferizaj ka arritur të dalë nga zona e rrezikshme, ndërsa drenicasit janë fundosur krejt në fund të tabelës, tani me gjasa minimale për të shpëtuar nga rënia.

Prishtina – Dukagjini

Pas një serie të mirë të rezultateve me Debatik Currin në krye, Prishtina ka pësuar humbjen e parë në pesë ndeshjet e fundit.

Skuadra mysafire ishte më kërkuese nga ky takim nga ku arriti edhe të nxirrte pikët e plota.

Ishte Muhamed Useini që shënoi autogol për ta çuar Dukagjinin në epërsi 1:0 në minutën e nëntë.

Jo shumë minuta më vonë, në të 26-tën ishte Mergim Pefqeli që e përfundoi bukur rastin e nisur nga Gledi Mici, për të barazuar gjithçka në 1:1. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë.

Në të dytën u shënua vetëm një gol, me klinasit që gjeten rrjetën për herë të dytë në këtë takim.

Zhvillohej minuta e 59-të kur Altin Merlaku shënoi golin e fitores pas asistit të Ahmed Januzit.

Kjo fitore Dukagjinin e barazon Prishtinën me pikë, respektivisht 38 në 28 ndeshje, me Gjilanin që mban pozitën e fundit që dërgon në garat evropiane me vetëm dy pikë më shumë.

Ferizaj – Gjilani

Një nga befasitë më të ëmbla të sezonit pranveror të Superligës së Kosovës padyshim që është Ferizaj, e cila ka qenë një nga skuadrat më të mira që nga rifillimi i kampionatit, duke arritur të dalë nga vendi i fundit, tani në vendin e shtatë me fitoren 2:0 ndaj Gjilanit.

Një gol në secilën pjesë ia dhuruan ferizajasve tre pikë të plota. Ishte Gentrit Halili që shënoi për 1:0 në minutën e 30-të.

Për rezultatin përfundimtar u përkujdes Gentrit Ramusa në të 53-tën kur shënoi për 2:0.

Kjo fitore për Ferizajn është shumë e rëndësishme në luftën për mbijetesë, ndërsa Gjilani ia vështirëson punët vetës, duke lejuar të afrohen Llapin e Dukagjinin tani shumë afër në renditje.

Llapi – Drenica

Llapi ka shënuar fitore 4:0 ndaj Drenicës, kështu për ta fundosur krejt në fund të tabelës skuadrën e drenicasve.

Dy gola u shënuan në pjesën e parë të takimit, e dy të tjerë në të dytën. ishte Gerhard Progni që shënoi për 1:0 në minutën e gjashtë, ndërsa një minutë para përfundimit të kësaj pjese për rezultatin 2:0 shënoi Alef Firmino.

Festim Alidema trefishoi rezultatin në minutën e 81-të, ndërsa Albion Kurtaj u përkujdes për rezultat përfundimtar në minut të 85-të për 4:0.

Llapi tani pozicionohet e katërta në tabelë me vetëm një pikë më pak se Gjilani i vendit të tretë dhe një më shumë se Dukagjini e Prishtina.

Exit mobile version