29.6 C
New York
Thursday, June 5, 2025

Buy now

Duka: Përballja me Serbinë është thjesht një ndeshje futbolli

- Advertisement -

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, dha një intervistë për emisionin “Andale Sport” me gazetarët Flori Thomaj dhe Benard Lazri.

Gjatë intervistës, ai foli për karrierën e tij, përvojën në biznes dhe futboll, zhvillimin e Federatës, organizimin për herë të parë në vendin tonë të një Kampionati Europian, objektivat për të ardhmen, kampionatin “Abissnet Superiore”, si dhe për ndeshjen e Kombëtares shqiptare ndaj Serbisë më 7 qershor.

Më poshtë, intervista e Presidentit Duka për “Andale Sport”:

– Vini nga një familje që është marrë me sport, por edhe me biznes që herët. A mendoni se eksperienca në biznes ka ndikuar në ringritjen e futbollit shqiptar?

– Në një lloj mënyre çdo gjë është menaxhim. Menaxhimi është një gjë universale dhe kjo gjë më ka ndihmuar mua. Edhe profesioni im ky është, ekonomist për industri, këtë kam studiuar. Doja të thoja që menaxhimi është kudo njëlloj. Eksperienca që merr nga menaxhimi i biznesit mund ta ndihmojë fushën e futbollit, e njëjta gjë anasjelltas. Ka një lloj sinergjie.

– Organizimi i fundit në Shqipëri ishte Euro U17. Çfarë mori Shqipëria nga ky kompeticion?

– Kishte shumë punë në përgatitje, për ndërtimin e infrastrukturës. Sporti krahasohet edhe me artin. Të përgatitësh një ndeshje nuk është vetëm 22 veta në fushë, por ka një përgatitje të madhe, aq më tepër kur ke një kompeticion europian, qoftë edhe me 8 skuadra.

Janë rikonstruktuar 10 fusha futbolli. Janë bërë punime në 4 stadiumet ku luhet, aq më tepër në Rrogozhinë që gati u bë nga e para. Futbolli shqiptar fitoi promovimin, të rinjtë që vijnë në shkallët e stadiumit dhe qëllimi ynë kryesor është t’i afrojmë në sport. Ka edhe përfitime në imazhin e vendit. Pak me U17, pak me U21, pak deti, pak mali, pak nga të gjitha dhe ne do të rritemi.

– Çfarë mendoni se i mungoi U17-s së Shqipërisë për të bërë paraqitje më të mira?

– Jam i kënaqur me çfarë kanë dhënë djemtë në fushë. Ishim në një kompeticion me 7 ekipet më të mira në Europë. Një kompeticion ku mbeti jashtë Spanja. Ne kemi skuadër të mirë dhe premtuese. Ata janë çuna që do të rriten dhe do vijë dita t’i shohim në ekipin e parë të Shqipërisë.

Do isha më i lumtur nëse do ishim kampionë Europe, por fakti që jemi konkurrues në një kompeticion europian është gjë e mirë. Ata rriten dhe fitojnë eksperiencë. Të gjithë ne, administrata e Federatës, eksperiencë e jashtëzakonshme. Nuk jam unë ai që duhet të jap nota për organizimin e kompeticionit. Kemi pasur një darkë zyrtare me delegacionet e skuadrave në Shqipëri dhe përfaqësuesi i federatës angleze më tha që edhe ne e kemi organizuar në vitin 2018 Kampionatin Europian U-17 dhe që kam qenë në disa Euro U17, por më të mirë se ky nuk kam marrë pjesë asnjëherë.

Nuk është puna se na bëhet qejfi, por na tregon që kemi fituar eksperiencën e duhur, kemi bërë një hap përpara dhe shohim të shkojmë akoma më shumë, sepse ky është edhe një vetë-testim për Europianin U21 në vitin 2027.

– Një nga planet e FSHF është të dyfishojë numrin e fëmijëve që luajnë futboll. Si do arrihet konkretisht?

– Kjo është një nga objektivat kryesore që ka Federata, por edhe një sfidë e vështirë, pavarësisht se kemi bërë progres. Ka 2 arsye themelore. Fatkeqësisht ka më pak fëmijë në Shqipëri dhe e dyta ka infrastrukturë të mangët. Ne kemi përmirësuar nga ana kualitative, edhe impiantet stërvitore, por mungon inventari fizik i fushave të futbollit.

Mungon futbolli i rrugës dhe e vetmja mënyrë është të ketë futboll të organizuar me strukturë të organizuar. Realisht mungon aty ku duhet të ketë më shumë, në qytetet me densitet të madh si Tirana.

Sepse sipërfaqet e lira në Tiranë janë të limituara ose janë shfrytëzuar për ndërtime. Ne luftojmë për t’u rritur dhe kemi bërë projekte për ta shtuar inventarin, duke ofruar financime dhe grante edhe për çdo bashki apo individ që do të bëjë një fushë futbolli.

– Një tjetër organizim i rëndësishëm është edhe Euro U21, por edhe i shumëpërfolur për bashkëpunimin me Serbinë. Në çfarë faze jemi aktualisht?

– Kemi përgatitur çdo plan. Ka qenë faza e garimit për të marrë të drejtën e organizimit të kampionatit. Kemi përcaktuar stafin dhe jemi gati. Është më e vështirë se U17 sepse është i dyti për nga rëndësia e Europianit në UEFA. Niveli i vështirësisë është i lartë.

Kemi përcaktuar ku do luhet, ku do bëhen stërvitjet, dhe vendet e akomodimit, dhe kemi 2 vjet kohë për ta përgatitur. Jam i sigurt që do ta bëjmë në mënyrën më perfekte të mundshme. Vendimi për të marrë një kampionat me Serbinë nuk është i lehtë. Ky është një organizim sportiv. Kampionatet do të luhen në 2 vende të ndryshme.

Mesazhi për mua është pozitiv. Ne duhet të shohim përpara. Gjithë bota flet për marrëdhënie të paqta dhe zhvillim, ndaj edhe fëmijëve tanë nuk duhet t’u lëmë luftë, por paqe.

– Po afron edhe ndeshja me Serbinë, në datën 7 qershor?

– Edhe kjo ndeshje e ka sensibilitetin, por edhe eksperiencën që ka Shqipëria në organizimin e ndeshjeve kundër Serbisë apo pak a shumë si ndaj Greqisë. Ajo që duhet përqendruar është rezultati sportiv sepse në këtë grup, çdokush që ndjek futbollin e projekton Anglinë si vendin e parë dhe kjo ndeshje na jep mundësinë të vazhdojmë të ëndërrojmë ose na e zbeh atë.

Nga pikëpamja sportive vazhdoj të mendoj që është e vështirë dhe ka presion edhe për djemtë që luajnë. Kërkesat janë të larta dhe stadiumi do jetë i tejmbushur. Uroj mos të jetë presion që e ndrydh ekipin tonë, por të jetë një shtysë për t’i rritur drejt një rezultati pozitiv. Uroj që ekipi jonë ta shfrytëzojë pozitivisht.

– A është frika e një incidenti në Tiranë?

– Ne bëjmë bashkëpunimin me institucionet organizative. Dhe i bëjmë thirrje gjithë mbështetësve ta shohin si një ndeshje futbolli. Të bashkëpunojnë me ne për të pasur një organizim pozitiv, me emocionet e një ndeshje futbolli. Incidentet nuk ndihmojnë askënd. Le të mbështesim skuadrën dhe të ecim përpara.

– Së fundmi, Igli Tare është bërë drejtor sportiv te Milani. Si ndiheni për këtë arritje?

– E njoh nga afër dhe e mbaj mend që nga koha kur ishte futbollist në Kombëtare. Është me shumë vullnet dhe punon shumë. Ka punuar shumë. Kam besim dhe e ka treguar që atë detyrë e bën mirë. Kjo nuk është një krenari personale, por krenari për një shqiptar që bën sukses në arenën ndërkombëtare. Sukseset tona në arenën ndërkombëtare nuk janë të shumta që ne mos të krenohemi që kemi drejtorin sportiv të Milanit me origjinë shqiptare. Aq më shumë që unë në një lloj mënyre jam mbështetës i  Milanit.

– A mendoni që edhe kampionati po bën hapa para ashtu si Kombëtarja?

– Kampionati, për të bërë më shumë hapa para, për të qenë atraktiv, me më shumë kualitet dhe spektatorë, ka nevojë për një organizim më të mirë të klubeve dhe mbështetje financiare. Nuk është e lehtë që klubet të prodhojnë financa për të rritur nivelin, ndaj ka nevojë për mbështetje, që ka munguar gjithmonë në legjislacionin shqiptar.

Historia ka treguar që presidentët e klubeve me dëshirën për të bërë një ekip më të mirë, edhe kanë rrënuar biznesin e tyre dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Nga buxheti i shtetit për klubet e futbollit financohet 0, kështu ka qenë gjithmonë nga forcat politike në pushtet.

Ne kemi propozuar të bëhet një paketë ligjore që mbështet futbollin, duke marrë shembull edhe nga vendet e tjera. Është e njëjta si ligji hungarez, i cili ka dhënë një rezultat të jashtëzakonshëm. Një ligj që parashikon të drejtën e financimit nga biznesi, ose të zbritjes së tatimit nga biznesi. E bën edhe Kosova dhe ka pasur sukses. Jo vetëm kjo, por siç edhe e thashë duhet edhe organizim më i mirë i vetë klubeve. Incentivimi, ngritja financiare e dërgon në një hap tjetër.

Ka një premtim që do të bëhet këtë vit dhe unë shpresoj shumë që të bëhet këtë vit. Nuk është thjesht një donacion për sportin apo futbollin. Është një investim, sepse futbolli t’i kthen lekët. Ne jemi dëshmitarë të tregut që krijon futbolli, ekonomisë që krijon futbolli. Sepse edhe sot futbolli ka impakt në ekonominë e vendit.

– Formula e “Final 4” do të vazhdojë apo mendoni që duhet të gjendet një skemë tjetër, që tërheq më shumë?

– Me apo pa “Final 4” do bëhet i njëjti diskutim. Çdo formulë ka pikat e forta dhe të dobëta. Ne kemi kërkuar dhe menduar ta bëjmë “Final 4” për të prodhuar një kompeticion më shumë, për të promovuar futbollin. Është ndjekur më shumë sesa kampionati i 36 javëve. Nga pikëpamja e promocionit, emocionit, suspansës që krijon është pozitive.

Të ngjashme

Të fundit