Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka shprehur ndjenjat e tij për ndeshjen e madhe ndaj Serbisë, duke thënë se nuk është fare i qetë.
Në intervistën e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” me Grida Dumën në kuadër të “Top Story”, kreu i futbollit shqiptar foli ndër të
tjerash për ndeshjen e shumëpritur Shqipëri – Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.
Ai ka thënë që një ndeshje të tillë futbolli duhet ta shijojnë gjithë, dhe se duhet ta shohin vetëm si një lojë të radhës.
“Është një ndeshje vërtetë futbolli, në fund të fundit duhet ta shijojmë. Duhet të respektojmë këtë lojë dhe këta njerëz që e luajnë këtë lojë. E kemi një ndeshje të rëndësishme se kemi mundësinë të jemi një nga skuadrat favorite që mund të shkojmë në një rrugëtim më të vështirë. Përballje e vështirë është, padyshim edhe intensive. Unë them që duhet ta shohim si lojë. Lojtarët pohojnë të njëjtën gjë dhe arsyetojnë të njëjtën gjë. Uroj që të menaxhojnë emocionet e tyre në fushë, për ta komanduar vetëm një lojë. Ndeshja në Beograd, 11 vjet më parë, ndikojnë, qenie njerëzore janë”, tha ai fillimisht.
Tutje, ai foli më në detaje se si do ta presë ndeshjen e nesërme ndaj Serbisë.
“Nuk i kam shpëtuar të jem i sinqertë edhe unë ngarkesës, presionit para kësaj ndeshje… edhe tani që flasim nuk jam i qetë, nuk jam ai që duhet të jem. Uroj që të njëjtën gjë mos ta kenë futbollistët, por dëshira dhe mundësia janë dy gjëra të ndryshme. Dëshira është që ta fitojmë ndeshjen, mundësitë i kemi për ta fituar, por futbolli nuk është një sport objektiv, ndryshe nga sportet e tjera, qoftë edhe në sportet kolektive në 95% të rasteve fiton skuadra më e mirë, ndërsa në futboll nuk ndodh kështu, prandaj është më i bukur se ka më shumë surpriza. Ne kemi përgatit çdo gjë, fatmirësisht ekipin e kemi në gjendje të mirë, i kemi të gjithë në dispozicion se kemi pasur shumë mungesa, uroj ta realizojmë objektivin, çunat të kënaqen në fushë”, tha Duka për “Top Story”.
Ndeshja Shqipëri – Serbi luhet nesër nga ora 20:45 në “Air Albania”