Gjermania po shqyrton mundësinë e tërheqjes së rezervave të arit nga SHBA për shkak të shqetësimeve për politikën e paparashikueshme të presidentit aktual amerikan Donald Trump.
Për dekada, Gjermania ka mbajtur rreth 1200 tonë ar, afërsisht 30% e rezervave të saj totale, në kasafortat e Rezervës Federale të SHBA-së në New York.
Vlera e atij ari sot është rreth 113 miliardë euro.
Stoqet janë mbajtur historikisht jashtë vendit, në mënyrë që Gjermania të mund të hynte shpejt në dollarë në rast të një krize financiare, shkruajnë mediat e huaja
Por zyrtarë të lartë të Unionit Demokristian (CDU), i cili pritet të jetë një lojtar kyç në formimin e qeverisë së ardhshme gjermane, po e vënë në dyshim gjithnjë e më shumë këtë strategji.
“Sigurisht që çështja është rihapur”, tha Marco Wanderwitz, ish-ministër dhe anëtar i CDU-së, i cili prej vitesh kërkon inspektime të rregullta ose kthimin e arit në Gjermani.
Markus Ferber, një anëtar i CDU në Parlamentin Evropian, u pajtua me të: “Unë po bëj thirrje për kontrolle të rregullta mbi rezervat e arit të Gjermanisë. Zyrtarët e Bundesbank duhet personalisht të numërojnë shufrat e arit dhe të dokumentojnë rezultatet”,tha ai.
Gjermania ka rezervat e dyta më të mëdha të arit në botë. Pjesa më e madhe e këtij ari u grumbullua pas Luftës së Dytë Botërore përmes tepricave të eksportit nën sistemin e Bretton Woods.